Politike

Dendias flet për 12 miljet dhe takimin me Ramën: Dosja në Hagë, pas 25 prillit

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, u intervistua nga gazeta “Kathimerini”, ku mes të tjerash ka përcaktuar rolin që aspiron të ketë Greqia në Ballkan

“Greqia luan një rol shumë të rëndësishëm në konsolidimin e stabilitetit dhe paqes. Si përmes mbështetjes së vazhdueshme të perspektivës europiane, ashtu edhe përmes pjesëmarrjes aktive dhe kontributit në nismat rajonale. Objektivi ynë është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen Europiane. Në të njëjtën kohë mbrojtja nga depërtimi i rrjeteve ekstremiste dhe perceptimet neo-Otomane.

Në këtë aspekt kontribuojnë dhe vendet muslimane të rajonit më të gjerë që janë pro pozicionimeve tona, me të cilat ne ndërtojmë një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të sinqertë, me aspiratën të jemi ura e bashkëpunimit me vendet me një popullsi të krishterë. Për të arritur të gjitha këto kemi një prezencë tepër aktive”, është shprehur ai.

I pyetur për projektligjin e depozituar në parlamentin grek, me qëllim zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje, Dendias ka theksuar se “ky zgjerim i kufijve sovran të shtetit grek, i pari nga 1947, në mënyrë paqësore dhe bazuar në të drejtën ndërkombëtare, është e drejtë e panegociueshme e vendit tonë”.

“Por, që të jem i qartë, ne po përgatitemi për zgjerim edhe në zona të tjera të vendit. Po hedhim hapat e duhura teknike, që të jemi gati kur të konsiderohet koha e duhur të veprojmë. Kur do të ndodhë kjo, mbetet një vendim politik”.

Ministri grek ka folur edhe për vizitën e kryeministrit Edi Rama.

“Me kryeministrin shqiptar kemi një marrëdhënie bashkëpunimi të sinqertë, tashmë. Unë pata mundësinë të bisedoja gjerësisht me të për të gjitha çështjet bilaterale dhe rajonale, si gjatë vizitës sime në Tiranë dhe gjatë vizitës së tij në Athinë pardje. Për çështjen e rekursit në Hagë, ekipet përkatëse teknike po vazhdojnë punën e tyre. Qëllimi është që premtimi i përbashkët të nënshkruhet dhe të paraqitet sa më shpejt që të jetë e mundur, mendoj pas zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në Prill.

Shënoj se të gjitha forcat politike shqiptare janë dakord se çështja e përcaktimit të zonave detare midis dy vendeve duhet të zgjidhet në bazë të të Drejtës Ndërkombëtare të Detit, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë. Kjo është pikërisht ajo që po u themi bashkëbiseduesve tanë turq. Dhe është veçanërisht e dobishme të kujtojmë se Z. Rama pranon që Greqia ka të drejtën e panegociueshme, të njëanshme për të zgjatur ujërat e saj territoriale në 12 milje. Ai shtoi, në fakt, se Shqipëria kishte bërë të njëjtën gjë 30 vjet më parë. Dhe kështu që asnjë vend i tretë nuk mund ta kundërshtojë këtë të drejtë, ose, të shtoj, akoma më tepër të kërcënojë me luftë për këtë arsye”, është shprehur kryediplomati grek.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë