Ekonomi

Denaj: Kemi pará, por po zgjati kriza, do prekim rezervat valutore të BSH

Ministrja për Ekonominë dhe Financat Anila Denaj në një lidhje direkte me Report TV deklaroi se vendi ka likuiditet dhe ka ende instrumenta financiarë për tu shfrytëzuar për të përballuar skenarin e dytë të krizës që është ai aktual.

“Ne kemi rritur deficitin buxhetor, po ashtu edhe borxhin publik në kushtet e krizës. Dhe do t’i zgjerojmë përtej atij të marsit me rishikim tjetër të buxhetit nëse kriza do të tejzgjatet përtej majit.

Çdo mbështetje me hua nga FMN, BE, tregu i brendshëm është për të mbështetur deficitin buxhetor, të cilin e dy-fishuam.

Nëse ky dy-fishim i deficitit do të rritej, çdo diferencë do të ketë nevojë për mbështetje financiare, sepse do të ketë rënie të të ardhurave nga lëvizjet që kemi bërë për të ndihmuar biznesin.”- u shpreh Ministrja Denaj.

Sipas saj, prekja e rezervave valutore të Bankës së Shqiëprisë do të ndodhte në një skenar të tretë negativ, ku do të mungonte likuiditeti pas tejzgjatjes së krizës përtej muajit maj, e si rrjedhojë do të ishte prekur thesari në mënyrë drastike dhe gjithashtu edhe buxheti i shtetit.

“Tani kemi instrumenta. Kemi likuiditet në tregun e brendshëm financiar, kemi kreditë nga institucionet ndërkombëtare, kemi eurobondin, mund  të dalim në tregjet ndërkombëtare  në qershor ose shtator sepse në tetor kemi nevojën e pagimit të 250 mln eurove”- u shpreh ministrja Denaj.

Sërish në kuadrin e likuiditetit ajo foli edhe  për kontratat koncesionare, duke shpjeguar se po bisedon me të gjithë koncesionarët, kontratat e të cilëve mund të rishikohen pa I dëmtuar ata.

“Ato kontrata koncesionare që i nevojiten ekonomisë, do të vazhdojnë.

Ne po bëjmë çdo tratativë për të negociuar me të gjithë koncesionarët, që i kemi parë si palë partnere, projekte të cilat për çështje çmimi, frekuence  dhe përdorimi u ka rënë qarkulllimi. Shpresoj që koncesionarët të jenë të hapur dhe të ridimensionojnë marrëdhënien me shtetit sepse është një situatë ku secili duhet të jetë tolerant. Aty ku nuk ka qarkullim si më parë, të tolerojnë rinegocimin, ne nuk do shkelim ligjin. Koncesionarët duhet të kuptojnë se kjo është ndihmë për biznesin, jo për qeverinë.”- sqaroi ministrja Denaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë