Ekonomi

Denaj: Deri në korrik 2025, fondet e IPARD mbeten të bllokuara. TVSH-në në bujqësi e ka në dorë ministria e Financave, jo ne!

Nga Gazeta 'SI' - Fondet e Bashkimit Europian për fermerët shqiptarë do të jenë të bllokuar të paktën deri korrikun e vitit 2025.

Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj u pyet në komisionin e Ekonomisë nga deputetja demokrate Emilia Koliqi për zhbllokimin e fondeve të IPARD, të bllokuara që verën e 2023-shit.

Denaj sqaroi se deri në korrik të vitit të ardhshëm nuk mund të ketë zhvillime në këtë drejtim, pasi do të jetë ende plani i monitorimit në zbatim.

“Ne po ekzekutojmë planin e veprimit për ndryshime të rëndësishme në strukturat në përmirësim të Agjencisë në Pagesave ABZHR, struktura është duke përfunduar, dhe një nga kërkesat shtesë ishte që strukturat të rrisnin kapacitetet për parandalime, për kontrolle dhe më shumë vëmendje për digjitalizimin e sistemeve. Këto po zhvillohen dhe po plotësohen me staf. Deri në korrik ne do të jemi në zbatim të planit të veprimit dhe pas muajit korrik ne do të jemi në gjendje të thërrasim DigiAgri për të dërguar dokumentet për IPARD 3”, tha ministrja e Bujqësisë.

Ndonëse ministri i Financave, Petrit Malaj tha se për t’u hequr TVSH-ja në bujqësi duhet propozimi i ministrisë së kësaj fushe, kjo e fundit e kundërshtoi.

Përballë propozimit të deputeti Erion Braçe, i cili tha se TVSH-ja për produktet bujqësore ka shtuar informaliteti, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj u shpreh se një masë të tillë e propozon ministria e Financës.

“Formalizimi i ekonomisë bujqësore është i ulët, faturat janë in-ekzistente, por unë nuk mundem që brenda një funksioni që nuk e kemi ne të ushtroj kontrolle fiskale tek qendrat e grumbullimit. Ne do të ishim shumë të kënaqur që të rishikohet skema e rimbursimit të TVSH-së, në momentin që Ministria e Financave është e gatshme ta bëjë këtë gjë. Kemi rënë dakord me ministrin Malaj për të ngritur një grup të përbashkët për të parë efektivitetin e skemës si dhe pjesën e TVSH-së që i takon Ministrisë së Financave. Nëse më kërkohet mua se çfarë mendoj me skemën e TVSH-së, jam shumë dakord të bëhet. Kjo nuk më jep të drejtën të flas për skemën se nuk është në përgjegjësi të Ministrisë së Bujqësisë. S’kam unë fare punë me Skemën e TVSH-së”, tha Denaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë