Futboll

Dëmtimi i Gjimshitit shqetëson Silvinjon, Uzuni dhe Hysaj në formën më të mirë

Gazeta Si – Dy javë para ndeshjes më Poloninë, që hap kualifikueset e Euro 2024, për trajnerin e Kombëtares, Silvinjo, ka lindur një problem. Berat Gjimshiti ka pësuar një dëmtim, duke ngritur dyshime për sfidën me polakët.

Mbrojtësi i Atalantës la fushën për shkak dëmtimi pa u mbyllur pjesa e parë e ndeshjes me Napolin. Dhe ky është një shqetësim për trajnerin brazilian të kuqezinjve, sepse bëhet fjalë për një nga lojtarët më të rëndësishëm të mbrojtjes.

Berat Gjimshiti. Gazeta Si, 13 mars 2023

Gjimshiti kishte kapur formën optimale javët e fundit, ndërsa tani mbetet të shihet shkalla e dëmtimit dhe sa kohë do të qëndrojë ai larg fushave. Dyshimet janë për një mungesë disajavore. Nëse nuk rikuperohet në kohë për Poloninë, do të jetë një humbje e madhe për Kombëtaren.

Fundjava që shkoi nuk ishte me fat për Marash Kumbullën, protagonist i një gjesti negativ, që solli kartonin e dytë të kuq në karrierë për mbrojtësin e Kombëtares. Ai reagoi pas një provokimi të Berardit dhe e goditi me shkelm lojtarin e Sasuolos, duke shkaktuar edhe penallti. Ishte ai shkaktari i humbjes për Romën dhe shtypi sportiv italian e vlerësoi me notën 3. Në këtë ndeshje Bajrami luajti vetëm çerek ore në fund.

Një formë shumë të mirë po kalon Elseid Hysaj, titullar me Lacion në ndeshjen me Bolonjën, që përfundoi 0-0. Mbrojtësi shkodran luajti në të majtë dhe duket se është rikthyer në nivelin e mëparshëm, duke i dhënë siguri Sarrit dhe rrjedhimisht edhe Silvinjos. Titullar vazhdon të jetë edhe Ardian Ismajli me Empolin, që këtë herë u mund në shtëpi nga Udineze.

Uzuni feston një gol me fanellën e Granadës. Gazeta Si, 13 mars 2023

Përveç Hysajt, një nga lojtarët më në formë të Kombëtares është pa dyshim Myrto Uzuni. Sulmuesi shënoi edhe në ndeshjen e fundit, ku Granada barazoi 2-2 me Ponferradinën. Uzuni realizoi nga pika e bardhë e penalltisë golin e 19-të këtë sezon me fanellën e Granadës. Edhe në Kombëtare ai pritet të jetë pika e referimit në sulm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë