Futboll

Dëmtim shokues për Nejmar, lë fushën me barelë dhe dyshohet për ndalesë të gjatë

Gazeta Si – Braziliani i PSG-së la fushën mes lotësh gjatë ndeshjes me Lilën në kampionat për shkak të një dëmtimi të frikshëm. Sulmuesi doli me barelë në fillim të pjesës së dytë të kësaj sfide, ku parisienët fituan 4-3.

Pas një lëvizjeje jo natyrale të kaviljes së këmbës së djathtë, Nejmar mbeti i shtrirë në fushë, duke ulëritur nga dhimbjet. Ai mori ndihmën e parë mjekësore dhe pastaj doli me barelë. Tani priten ekzaminimet e detajuara për të mësuar shkallën e dëmtimit. Gjithsesi, nga ajo që u pa, dyshohet për një ndalesë të gjatë të brazilianit.

Nejmar duke lene fushen me barele. Gazeta Si, 19 shkurt 2023

Tani po afrohemi në atë periudhë të vitit, kur Nejmar zakonisht mungon, sepse ka disa festa të rëndësishme, ndaj dhe pas këtij dëmtimi do të ketë jo pak zhurmë…

Ndeshja me Lilën ishte vërtet rokamboleske. PSG udhëhiqte 2-0 dhe një nga golat e shënoi pikërisht Nejmar. Por më pas rezultati u përmbys në 2-3 dhe vetëm në fund PSG arriti të barazonte fillimisht me Mbape dhe në shtesë të shënonte golin e fitores me Mesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë