Gazeta Si – Egzaminimet e kryera pas ndeshjes me Milanin, ku Berat Gjimshiti la fushën në fundin e saj, kanë treguar se dëmtimi është serioz. Mbrojtësi kuqezi ka pësuar një frakturë në këmbën e majtë, një dëmtim që kërkon deri në dy muaj kohë të rikuperohet.
Një lajm i keq ky për trajnerin Reja dhe Kombëtaren, sepse me këtë llogari, Gjimshiti do të mungojë ndeshje e shtatorit në Ligën e Kombeve ndaj Izraelit dhe Islandës.

Dëmtimi u shkaktua nga një përplasje me Origin në fund të ndeshjes Atalanta-Milan. Gjimshiti ndali sulmuesin belg, i cili goditi këmbën e mbrojtësit, që la fushën 8 minuta para fundit.
Një goditje e rëndë kjo edhe për trajnerin Gasperini, që humb një kolonë të rëndësishme të mbrojtjes, aq më tepër kur nuk ka as Palominon e dënuar për doping.
Gjimshiti mund të humbasë 9 ndeshje në kampionat, mes tyre ato me Romën, Fiorentinën dhe Lacion. Ai mund të kthehet në ndeshjen me Empolin në fund të tetorit. Lojtari ka nisur tashmë kurat e programit të rikuperimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




