Gazeta Si – Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, pësoi një dëmtim në shpatull gjatë ndeshjes së fundit ndaj Napolit, ku Atalanta u mund 1-3. Futbollisti kuqezi ra keq gjatë një dyluftimi dhe më pas nuk ishte në gjendje ta vazhdonte lojën, ndaj dhe u ndërrua në minutën e 63-të, kur rezultati ishte 1-2.
Pritet të qartësohet se sa kohë i duhet Berat Gjimshitit për t’u rikuperuar, por e sigurt është se ai e ka humbur ndeshjen e së enjtes në Ligën e Europës ndaj Lajpcigut në Gjermani. Trajneri Gasperini e ka mbrojtësin shqiptar ndër më të besuarit, por tashmë duhet t’i bëjë llogaritë pa të.

Një dëmtim në krah Gjimshiti kishte pësuar edhe pak kohë më parë, gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren kuqezi. Pasi e kaloi atë dëmtim, ai kishte arritur formën optimale sportive, por për fat të keq do të mungojë sërish për Atalantën. Gjimshiti është një nga lojtarët më konstantë të kësaj skuadre dhe të Kombëtares së Shqipërisë aktualisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




