Ekonomi

Dëmshpërbleheni në më pak kohë, ankohuni për kompanitë e sigurimit!

Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare ka ndryshuar rregulloren “Për trajtimin e dëmeve që mbulohen nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit” duke iu dhënë prioritet qytetarëve në marrjen e dëmshpërblimit brenda 14 ditësh pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit.

Më parë ky afat nuk ishte i përcaktuar. Në nenin 6 përcaktohej vetëm afati i trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim, jo shlyerja e dëmshpërblimit.

AMF kërkon tu bëjë apel qytetarëve që të kontaktojnë për çdo problematikë në lidhje me shoqëritë e tregjeve që Autoriteti mbikëqyr, pasi trajtimi është transparent dhe ata do të përfitojnë atë që u takon.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare raporton se për 9 muajt e parë të vitit 2019 ka trajtuar 71 ankesa të ardhura nga qytetarët dhe subjekte të tjera, që lidhen kryesisht me tregun e sigurimeve.

Sipas AMF-së, ankesat e trajtuara nga Drejtoria e Mbrojtjes Konsumatore janë bërë kryesisht për masën e dëmshpërblimit në rastet e aksidenteve rrugore.

AMF informon se të interesuarit mund t’i depozitojnë ankesat e tyre në platformën online, në linkun https://crm.amf.gov.al/ ose të kontaktojnë me Autoritetin përmes adresës së posaçme të e-mailit, që gjendet në faqen zyrtare të AMF, [email protected], si dhe numrit të telefonit +355 4 22 57 560. Gjithashtu mund të shkrujnë në faqen zyrtare të AMF në Facebook.

Në rast pranimi të kërkesës, shoqëria e sigurimit duhet të njoftojë palën e dëmtuar për masën e dëmshpërblimit të vlerësuar prej saj;

Në rast refuzimi të kërkesës, shoqëria e sigurimit duhet të njoftojë me shkrim palën e dëmtuar për refuzimin dhe shkaqet ligjore, që çojnë në këtë refuzim.

Shoqëria e sigurimit do të kryejë pagesën e dëmshpërblimit brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit.

Ndryshimi tjetër ka të bëjë me mënyrën e informimit të konsumatorit, ku përveç letrës rekomande është shtuar edhe posta elektronike, apo mesazhi në telefon, në rastet kur këto të dhëna paraqiten nga kërkuesi për dëmshpërblim në formularin që ai plotëson pranë shoqërisë së sigurimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë