Analize

Demokracia italiane provoi se Machiavelli kishte të drejtë

Italia konsiderohet si vendlindja e shkencave politike moderne dhe jo pa arsye. Fiorentini Niccolo Machiavelli i njohur kryesisht për librin “Princi” la pas një trashëgimi të pasur të mendimit kritik dhe të hollë për çështjet politike, shtetërore dhe organizative të një shoqërie.

Mes tyre ishte edhe një përmbledhje e fjalorit politik të Tit Livit, botuar në vitin 1531, ku ai reflekton për ngritjen dhe rënien e Republikës Romake, disa shekuj më parë. Mësimet që ai vetë nxjerr nuk shërbejnë për demokracinë moderne italiane dhe as për ndonjë demokraci tjetër perëndimore.

I ndikuar nga historiani grek Polibi, Machiavelli gjatë reflektimeve të tij arrin në përfundimin se mënyra më e mirë për të qeverisur një vend, një shoqëri është një miksim i balancuar mes monarkisë, pushtetit ekzekutiv, aristokracisë, pra pushtetit të një grushti njerëzish me pushtetin e shumicës, që është demokracia.

Argumentonte se asnjëra prej këtyre formave e izoluar nga të tjerat nuk mund të prodhojë një qeverisje të qëndrueshme dhe afatgjatë. Monarkia e pastër degjeneron në tirani, aristokracia në oligarki dhe demokracia në qeverisjen e turmës. Machiavelli mendonte se vetëm kur të gjithë këta faktorë arrijnë të krijojnë një ekuilibër, ku sekush kontrollon dhe jep llogari për faktorin tjetër mund të krijohet një mekanizëm qeverisës i qëndrueshëm.

Modeli i konceptuar nga Machiavelli 5 shekuj më parë është reflektuar gjerësisht tek demokracitë bashkëkohore me pushtetin ekzekutiv, pushtetin legjislativ dhe sistemin zgjedhor.

Këto javë Italia provoi edhe një herë se mendimet e Machiavellit mbi ligjshmërinë e republikës vlejnë ende. Dy parti euroskeptike dhe populiste, “Lega Nord” dhe “5 Yjet” fituan një mazhorancë në zgjedhjet e mbajtura në muajin mars. Por, Presidenti italian, Sergio Mattarella refuzoi të vulosë koalicionin e propozuar fillimisht për shkak të emrit të ministrit të Financave, një njeri që më herët kishte bërë deklarata kundër Euros dhe kundër rregullave tregtare të Bashkimit Europian.

Presidenti në Itali zgjidhet nga senatorët, deputetët e dhomës së ulët dhe përfaqësuesit e rajoneve. Ai qëndron mbi palët dhe është i ngarkuar në mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesit publik të italianëve. Kur dy partitë hoqën dorë nga emri fillestar i propozuar për ministër Financash dhe vunë një emër tjetër, Mattarella e pranoi qeverinë e re.

Rasti italian nxjerr në pah rolin thelbësor që kanë institucione kushtetuese në një republikë për të kontrolluar dhe skanuar elementët që propozon një mazhorancë, që jo domosdoshmërisht përfaqësojnë interesin më të mirë të shumicës. Jean Pisani-Ferry thotë se sfida më e madhe me të cilën po përballen demokracitë sot është të bindin qytetarët për vendimet radikale që marrin institucionet e që prekin të gjithë shoqërinë.

Me këtë sfidë përballen sot të gjitha demokracitë dhe të gjitha shoqëritë e hapura dhe në epokën e rrjeteve dhe medias sociale, sfida bëhet akoma më e vështirë. Pikërisht media sociale ishte arma e parë e populistëve në Itali, po ashtu edhe e Brexit në Britaninë e Madhe dhe zgjedhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Politologu Knut Heidar

Radhën për t’u marrë në dorë nga populistët duket se e ka Brazili. Politologu Knut Heidar shkruan se mënyra më e mirë për të forcuar një demokraci dhe për t’iu kundërvënë populizmit është forcimi i institucioneve të shtetit duke i ushqyer ato me më shumë demokraci. Ai vë re se 1 në pesë amerikanë me të drejtë vote nuk votojnë, sepse nuk regjistrohen. Kjo do të thotë se gjithnjë e më pak njerëz po marrin pjesë në një proces zgjedhor në SHBA. Si zgjidhje propozon regjistrimin automatik të të gjithë shtetasve amerikanë me të drejtë vote.

“Ky defiçit demokracie penalizon një pjesë të shëndetshme të shoqërisë që të marrin pjesë në një proces thelbësor, siç është ai i zgjedhjes. Kjo reflektohet si tek fushata, ashtu edhe tek rezultati që pason procesi. Kandidatët ndërtojnë programin e tyre në bazë të asaj që kanë në kokë votuesit e regjistruar. Të paregjistruarit janë qytetarë “dytësorë”, që nuk e përfshijnë veten tek “ne”-ja kombëtare”, thotë ai.

Dambisa Moyo

Dambisa Moyo këshillon gjithashtu zgjerimin e vendimmarrjes përmes një sistemi që e bën votimin një proces të detyrueshëm. Propozon gjithashtu mandate më afatgjata për të zgjedhurit, për t’iu përshtatur edhe kohës që kërkon shpesh përmbushja e një sërë premtimesh në fushën ekonomike. Çuditërisht sugjeron edhe ndarjen e votuesve në grupe, ku ata të votojnë vetëm për çështje që kanë njohuritë e duhura dhe jo të vendosin për çështje që nuk i njohin.

Kareem Abdul-Jabbar i jep të drejtë Dembisa Moyo-s, por nuk propozon një reformë kaq ekstreme sa ajo e ndarjes së votuesve në grupe. Ai kërkon që fokusi të vendoset tek edukimi dhe ndërmarrja e një reforme në të që të prodhojë votues të ndërgjegjshëm në të ardhmen.

Kareem Abdul-Jabbar

“Armiku më i rrezikshëm i Amerikës nuk është terrorizmi, as lufta apo emigracioni. Kërcënimi më i madh i vendit tonë është injoranca. Demokracitë e shëndetshme bazohen tek dija dhe debati frutdhënës për të mbijetuar. Por, debati ynë kombëtar është katandisur i rëndomtë, informimi është aq gjysmak dhe i masakruar sa amerikanët e kanë të vështirë që të ndërmarrin vendimet e duhura në kutinë e votimit për politikën, apo politikanët. Që të armatosim amerikanët me aftësinë për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi, duhet të zbatojmë në sistemin tonë arsimor një reformë kritike, që të pajisë nxënësit me dije të përgjithshme mbi shkencat politike”, propozon ai.

Nxitur nga mjedisi i ashpër politik në vendlindjen e tij, ish-Presidenti brazilian, Fernando Henrique Cardoso bën një parashikim të zymtë.

Fernando Henrique Cardoso

“Jemi dëshmitarë sesi po krijohen kushtet e një revolucioni, ku njerëz të mbushur me mllef shfrytëzojnë kushtet e tjera për të tërhequr pas vetes votuesit me premtime të pazakonta dhe shpesh kërcënuese për njerëzit e sistemit. Historia na mëson që pas gjithë këtyre simptomave, në vend do të mbërrijë një lider i fortë, karizmatik që do t’i japë fund anarkisë dhe do të sundojë, por pa u zgjedhur më”, deklaron ai.

Sipas Cardoso-s, Brazili po vuan më shumë se kushdo pasojat e përplasjes mes modernizimit, institucioneve të dobëta dhe shpesh jofunksionale dhe shtresave në nevojë të shoqërisë. Pikërisht shtresat e varfëra dhe të paarsimuara po manipulohen nga populistët.

“Kandidati kryesor për momentin është një ish-oficer ushtarak i të djathtës ekstreme. Quhet Jair Bolsonaro dhe këtu është pagëzuar si “Trumpi i Tropikut”. E ka nisur fushatën shpejt dhe gjuha e përdorur ka bërë që të akuzohet nga Prokurori i Përgjithshëm për nxitje dhune, diskriminim dhe gjuhë urrejtjeje ndaj komuniteteve indigjene, njerëzve me ngjyrë, personave gay dhe grave”, deklaron Cardoso.

Burimi: The World Post, një partneritet mes Berggruen Institute dhe The Washington Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë