Irena Beqiraj

Demografia, ushqimi, muzika edhe e ardhmja e kombit!


Ndonjëherë është e nevojshme të përpiqesh ta deshifrosh realitetin, edhe parashikosh të ardhmen nga të dhëna të tjera përveç treguesve kryesorë ekonomikë, ku në qendër të këtyre të fundit mbetet PBB-ja, megjithë pasaktësitë në matje edhe në paraqitjen e saj.

Pra, ka parametra të tjerë që tregojnë më shumë për të ardhmen e një kombi sesa thjesht statistikat ekonomike me të cilat janë mësuar të  "mburren" qeveritë .

Sipas Jacques Attali -së ka tre parametra që duhen studiuar kur përpiqemi të kuptojmë se ku po shkon një komb, edhe ato janë demografia, ushqimi dhe muzika.

1. Shqipëria po plaket shpejt!

Megjithëse sot Shqipëria nuk është vendi  më i moshuar në Europë, ajo po plaket jashtëzakonisht shpejt. Një tregues i kësaj dukurie është përqindja e popullsisë mbi 65 vjeç. Në Europë, u deshën mesatarisht 26 vjet që ky raport të rritej nga 15% në 20%;  në Shtetet e Bashkuara u deshën më shumë se 50 vjet.

Në Shqipëri të dhënat demografike tregojnë se  mosha mbi 65 nga 5.5% që zinte në vitin 1990, sot zë rreth 16%  të totalit të popullsisë. Ndërkohë që parashikohet se popullsia mbi moshën 65 vjeç e lart  do të arrijë në 26.4%  në vitin 2050.

Kostot e larta fiskale të plakjes me ritme të shpejta janë njëra anë e problemit, ndërkohë ana tjetër është se plakja e popullsisë çon në një ekonomi  më pak dinamike ku çdo rritje prej 10 për qind  e popullsisë mbi moshën 65 e  ul PBB-në për frymë me rreth 5.5 për qind.  Një e treta e këtij reduktimi vjen nga rritja e ngadaltë e punësimit;  dy të tretat për shkak të ngadalësimit  të produktivitetit të punës.

2. Ushqimi i kushtueshëm edhe oreksi që vjen nga uria!

Çmimet në Shqipëri po rriten shumë shpejt, duke e ngushtuar gjithnjë e më shumë hendekun me Bashkimin Europian. Sipas të dhënave të Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, në një kohë që të ardhurat  janë sa 41% e mesatares së BE-së.

Ky hendek  në rritjen e çmimeve të ushqimeve edhe të ardhurave për frymë nuk i lejon  50 % te shqiptarëve të përmbushin më shumë se atë që një tjetër francez, Alexandre Dumas në librin e tij "Fjalori i Kuzhinës " e quajti "Oreksi që vjen nga uria". Ky lloj oreksi  është pa pretendime, nuk  bën bujë mjaftohet me një ushqim që e ngop.

3. Asnjë lajm i mirë edhe nga muzika!

Muzika tregon gjithçka rreth kreativitetit të një kombi : gëzimin e tij për jetën, revoltën e tij , marrëdhëniet midis njerëzve.  Po ashtu ajo  ka aftësinë unike  për të ndezur imagjinatën e pjesës tjetër të botës për vendit ku ajo është krijuar.

Ndërkohë, që tregu global i muzikës vlen 41.5 miliardë dollarë edhe  tejkalon atë të mallrave tradicionale si kafeja apo duhani e bën muzikën  një mundësi për zhvillim ekonomik dhe tregtar. Krijuesit me rritjen më të shpejtë gjenden në tregjet në zhvillim në të gjithë Afrikën dhe Amerikën Latine , gjë që korrespondon me vendet me popullsi shumicën nën 30 vjeç.

Ndaj muzika nuk është thjesht një pasqyrim i kulturës, por edhe një paralajmërues i ndryshimit, një abstraksion paraprak i formës së gjërave që do të vijnë.

As në ketë parametër duket se nuk kemi gjasa për zhvillim.

Ne jemi një komb ku mesatarja e njerëzve shikon televizor rreth 5.5 orë në ditë, nuk lexon libra, shkon shumë pak në teatër, apo koncerte. Në këndvështrimin publik artisti /artistja është vetëm një objekt. Suksesin  në muzikë nuk e përcakton cilësia e muzikës që artisti performon  por gjinjtë  e të ndenjurat e rrumbullakosura ,buzët e fryra , facetat e bardha tek dhëmbët, veshja , edhe këngët që ofrohen kanë tekste vetëm me 10 fjalë edhe muzikën tallava.

Attali nuk beson në të ardhmen e kombeve si Shqipëria me një popullsi në plakje dhe/ose ushqimi tepër i kushtueshëm dhe/ose me muzike te dobët e cila dëgjohet vetëm në tokën e tyre dhe jo nga kombet e tjera.

Por ne nuk kemi pse të shqetesohemi për besimet edhe mësimet e Attali-së !  Të ardhmen e kombit e rregullojmë me një veprim matematikor. 

Mjafton të shprehim  PBB -në e Shqipërisë në euro edhe mund të mburremi  se është rritur 3 herë. Po ta shprehim në lira turke, do të dukej se është rritur 14 herë!


Copyright © Gazeta “Si”