Parlamenti Europian votoi këtë të mërkurë në një rast të pashembullt thërritjen e artikullit disiplinor nr.7, i cili u hap rrugën procedurave ndëshkimore për Hungarinë për shkelje të rregullave të shtetit ligjor dhe demokracisë.
Para votimit, Kryeministri hungarez, Victor Orban mbajti një fjalim pasionant dhe u mbrojt me këmbëngulje se ai dhe qeveria që ai drejton në Budapest po mbronte vendin dhe kufijtë e vendit.
Por, rezultati i votimit në fund tregoi që Orban kishte humbur në radhët e eurodeputetëve të paktën një pjesë të atyre që deri dje i konsideronte në mos aleatë, miqësorë me politikat e tij të ashpra kundër emigrantëve. Nisja e procedurave u miratua me 448 vota pro, 197 kundër dhe 48 abstenime.
Çfarë është artikulli 7?
Artikulli 7, i quajtur shpesh nga burokratët e Brukselit dhe mediat si “opsioni nuklear” është “butoni” që vë në lëvizje mekanizmat ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj një vendi anëtar, kur ka prova të qarta se ai vend ka shkelur parimet themelore të unionit.
Thërritja e këtij artikulli mund të kërkohet nga Parlamenti Europian, Komisioni, ose një e treta e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Pas Parlamentit Europian thërritja e artikullit duhet të kalojë në Këshillin Europian me një shumicë prej tre të katërtat e vendeve anëtare. Në këtë moment, Këshilli hyn në bisedime të drejtpërdrejta me vendin e shënjestruar në përpjekje për të shmangur ndëshkimet më të rënda.
Nëse bisedimet dështojnë dhe me t’u adoptuar, masat ndëshkuese ndahen në dy pjesë. Së pari është mekanizmi parandalues dhe më pas mekanizmi sanksionues.
Në rastin e Hungarisë është thërritur pjesa e parë, pra pika 1 e Artikullit 7, çka do të thotë se Budapesti ka marrë një paralajmërim formal. Nëse paralajmërimi nuk bën jep rezultate dhe Viktor Orban vazhdon me politikat e tij, atëherë Këshilli mund të aplikojë pikën dy të këtij artikulli, që shkon nga pezullimi i së drejtës së votës për Hungarinë e deri tek vendosja e sanksioneve.
Pse Hungaria?
Veç Hungarisë në një fazë fillestare për të njëjtën procedurë është edhe Polonia. Nëse për Poloninë procedurat nuk kanë mbërritur ende në fazën e votimit në PE, për rastin e Hungarisë, eurodeputetja holandeze, Judith Sargentini paraqiti një raport në Parlamentin Europian.
Raporti akuzon Hungarinë për një sërë shkeljesh të parimeve dhe vlerave të Bashkimit Europian. Shkeljet, sipas raportit variojnë nga abuzimi me të drejtat e refugjatëve, kufizimi i lirisë së mediave, korrupsioni dhe konflikti i interesit dhe sjellja në kufijtë e diskriminimit gjinor ndaj grave.
Si u mbrojt Viktor Orban?
Kryeministri hungarez nuk u tremb, të paktën nga ato që tha para eurodeputetëve. Ai e cilësoi raportin një shantazh i Bashkimit Europian, të cilit nuk do t’i përulej.
“Ju mendoni se i dini nevojat e popullit hungarez më mirë se vetë populli hungarez?! Ky raport fyen popullin hungares dhe aplikon dy standarde, është një abuzim me pushtetin, tejkalon kompetencat dhe metoda për adoptimin e raportit shkel Traktatin e Lisbonës. Hungaria do të vazhdojë të mbrojë kufijtë e saj, të ndalojë emigracionin ilegal dhe të mbrojë të drejtat e saj, qoftë kjo kundër jush, nëse do të jetë e nevojshme”, tha ai, duke tërhequr duartrokitjet e zjarrta të euroskeptikëve dhe të djathëve ekstremistë në Parlament.
Reagimet
Pas votimit, autorja e raportit, Judith Sargentini festoi. “Falenderoj kolegët e mi që u ngritën mbi interesat personale dhe partiake politike në mbrojtje të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, shkroi ajo në Twitter.
I am so proud that my Hungary report has the support of the European Parliament, but this is foremost about the rights of Hungarian citizens.
— Judith Sargentini (@JudithSargentin) September 12, 2018
I thank my colleagues that stand for the protection of democracy and the rule of law, above their interest in party politics.
Ekspertja e Amnesty International për të drejtat e njeriut pranë Parlamentit Europian, Berber Biala Hettinga tha se Parlamenti u ngrit për të mbrojtur BE-në dhe vetë popullin hungarez.
Por, jo të gjithë e mirëpritën. Një prej atyre që kundërshtoi këtë ishte ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini. Ai po përpiqet që të zbatojë në Itali një politikë të ngjashme me Hungarinë sa i takon emigracionit dhe në rrjetet sociale shpërndau fjalimin e Viktor Orbanit duke e cilësuar atë një fjalim guximtar dhe duke i ofruar mbështetjen e pakufizuar të tij personale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




