Gazeta Si - Me shpejtësi “skëterrë” si në një garë me makina, ku për fat të mirë makina është ndaluar vetëm nga bordura e digës së Liqenit Artificial.
Pamjet e kamerave të sigurisë në “Rrugën e Kosovarëve” në Tiranë tregojnë automjetin “BMW X6”, i cili përfundoi mbi digën e Liqenit Artificial për shkak të shpejtësisë së lartë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit. Në video shihet se automjeti qarkullon me shpejtësi të lartë, arrin të ngjitet mbi murin e digës dhe ndalohet nga barriera në pistën e vrapit që shërben për qytetarët.
Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk ka persona të lënduar. Shoferi i mjetit, 26-vjeçari Eldi Allushi nga Durrësi, braktisi mjetin dhe u largua, si dhe mori me vete targat e makinës.
Për ngjarjen ka reaguar kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili kërkon dënimin maksimal për shoferin.
“Tani çdo gjë është kthyer në normalitet, por shpejtësia skëterrë e shoferit (jo e makinës – sepse makina s’ka vendimarrje në çmenduri) që përfundoi mbi digën e Liqenit, rrezikon qytetarët, por edhe vetë të lojturin që veç bordura e shpëtoi nga mbytja në Liqen! Bashkë me Policinë e Shtetit, kemi mbledhur provat dhe do të kërkojmë dënimin maksimal për shoferin tashmë në kërkim – zero tolerancë për kërcënuesit e jetës dhe bashkëjetesës në qytet”, shkruan Veliaj në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.