Politike

Del paketa e dytë për reformën zgjedhore: KQZ jo politike

Ekspertët e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore kanë hartuar paketën e dytë të propozime për ndryshimet e Kodit Elektoral, duke prekur mënyrën e ndërtimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ekspertët propozojnë një KQZ të depolizituar monokratik me përgjegjësi të ndara duke e ndarë në kompetenca dhe autoritete ushtruese. “Komisionieri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik që ushtron kompetencat ekzekutive, drejton administratën e KQZ-së dhe përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Komisioni Rregullator është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve të subjekteve zgjedhore dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të Kodit Zgjedhor”, thuhet në amendamentet e propozuara nga ekspertët.

Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore


Komisioni Rregullator përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar. Kandidati për anëtar i këtij Komisioni Rregullatorit duhet të plotësojë kushtet dhe kriteret për të qenë komisioner. Kriteri i eksperiencës profesionale në drejtim zëvendësohet për kandidatin për anëtar të Rregullatorit me kriterin e eksperiencës profesionale në hartimin, shqyrtimin dhe miratimin e akteve ligjore. Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve përbëhet nga 3 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar. Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Komisioneri, anëtarët e Komisionit Rregullator dhe anëtarët e KAS-it propozohet të zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me jo më pak se tre të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Komisionerin, apo anëtarë të caktuar të Komisionit Rregullator ose të KAS-it, me shumicën e kërkuar të 3/5 të votave, atëherë administrata e Kuvendit hedh short midis të gjitha kandidaturave të paraqitura për votim Kuvendit për vendin përkatës.
Caktimi i anëtarëve të Njësisë së Administrimit Zgjedhor (ish KZAZ) – shkurtimisht NJAZ-i- bëhet me short nga personat që janë certifikuar si zyrtarë zgjedhore. Njësia e Administrimit Zgjedhor ngrihet 90 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përbëhet nga 4 anëtarë dhe 2 sekretarë. Zyrtarët zgjedhorë të NJAZ-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me barazi gjinore, me short, midis personave të trajnuar si zyrtarë zgjedhorë. Kryetari dhe zëvendëskryetari i NJAZ-it caktohen nga KQZ-ja në aktin e emërimit, mbi bazën e kriterit profesional, eksperiencës së mëparshme zgjedhore dhe eksperiencës drejtuese administrative. Sekretari i NJAZ-it është përherë me profesionin e juristit. Në ditën e votimit NJAZ-i vepron i ndarë në dy grupe të balancuara (dy anëtar – një sekretar), të cilët qëndrojnë në detyrë njeri pas tjetrit dhe ndërrohen me njeri tjetrin çdo 8 orë, deri në përfundim të numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit në nivel NJAZ-i.

Kuti votimi gjatë procesit zgjedhor të fundit parlamentar. Gazeta Si, 6 nëntor 2019


Njësia e Administrimit të Votimit, ish-KQV niveli i parë i administrimit të zgjedhjeve është struktura e administratës zgjedhore e ngarkuar me kryerjen e procedurave të votimit në qendrën e votimit. NJAV-i formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga tri zyrtarë zgjedhorë: zyrtari mbikëqyrës, zyrtari i qartësimit të votuesve, zyrtari i procedurave të votimit. NJAV-i ka për detyrë të kryejë identifikimin e votuesve përpara votimit, të udhëzojë dhe drejtojë votuesit për ushtrimin individualisht, në liri dhe fshehtësi të së drejtës së votës, të kujdeset për zhvillimin dhe mbylljen e rregullt të procesit, si dhe të ruajë dhe administrojë nën përgjegjësinë e vet materialin zgjedhor. Edhe zyrtarët zgjedhorë të NJAV-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trajnuar si zyrtarë zgjedhorë.
Njësia e Administrimit të Numërimit, ish Grupet e Numërimit të Votave, është struktura e administratës zgjedhore e ngarkuar me kryerjen e procedurave për numërimin e votave. NJAN-i formohet, me përfaqësim të garantuar gjinor, nga dy zyrtarë zgjedhorë. Zyrtarët zgjedhorë të NJAN-it janë individë të kualifikuar në ushtrimin e përgjegjësive të detyrës, të cilët emërohen nga KQZ-ja, me short, midis personave të trajnuar si zyrtarë zgjedhorë në sistemin e trajnimit të KQZ-së. NJAN-i bën vlerësimin e votave, numërimin e tyre për çdo subjekt zgjedhor dhe tabulimin e rezultatit të qendrave të votimit. Kompetenca për vlerësimin e votave, numërimin e tyre për çdo subjekt zgjedhor dhe tabulimin e rezultatit të qendrave te votimit është kompetencë ekskluzive e NJAN-it. Vendimmarrja e NJAN-it në ushtrim të kësaj kompetence mund të ndryshohet vetëm sipas procedurës ankimore të Kodit Zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë