Nga Gazeta ‘Si’- Një tren rajonal me rreth 100 pasagjerë ka dalë nga shinat në afërsi të Riedlingen, në shtetin gjerman të Baden-Württemberg, duke shkaktuar një aksident të rëndë me pasoja fatale.
Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës, kur një stuhi e fortë solli rrëshqitje dheu mbi shina, e cila besohet të jetë shkaku kryesor i daljes nga shinat.
Sipas autoriteteve, tre persona kanë humbur jetën, ndërsa të paktën 34 janë plagosur, disa prej të cilëve rëndë. Treni, që po udhëtonte nga Villingen-Schwenningen drejt Ulm-it, kishte kaluar stacionin e parafundit dhe ndodhej rreth 45 kilometra nga destinacioni kur ndodhi aksidenti.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë vagonë të përmbysur dhe ekipe shpëtimi duke nxjerrë pasagjerët nga rrënojat, ndërsa dëgjohen thirrje për ndihmë.
Një nga vagonët përfundoi i përmbysur, ndërsa lokomotiva ra nga një shpat rreth pesë metra, duke u përplasur në pemë.
Ministri i Brendshëm i Baden-Württembergut, Thomas Strobl, dhe Ministri Federal i Transportit, Patrick Schnieder, vizituan vendin e ngjarjes dhe e përshkruan situatën si “tronditëse”. Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh “i tmerruar” dhe shprehu ngushëllime për familjet e viktimave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




