Treg

Dekretohet ligji për Rivlerësimin e pronave: 5% tatim mbi diferencën midis çmimit të vjetër dhe të ri

Nga Gazeta ‘SI’ – Presidenti i vendit ka dekretuar ligjin për Rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, duke i hapur rrugë një burimi të ri të ardhurash për arkën e shtetit.

Qytetarët do të mund të rivlerësojnë pronën e tyre me një normë tatimore të reduktuar, 5% nga 15% që është jashtë periudhës së rivlerësimit.

Dekretimi, sipas ekspertëve të tregut do të “zhbllokojë” tregun imobiliar, që prej muajsh po përjetonte pezullim të shitjeve, pasi pronarët prisnin rivlerësimin, për të shmangur tatimin e plotë.

Sipas ligjit, taksa e rivlerësimit nuk llogaritet mbi vlerën totale të pronës, por mbi diferencën mes vlerës së re, që përafrohet me çmimin aktual të tregut, dhe vlerës së regjistruar më parë në dokumentet zyrtare. Kjo do të thotë se nëse një pronë është regjistruar me një vlerë më të ulët se çmimi real në treg, pronari paguan 5% vetëm për hendekun e krijuar mes këtyre dy vlerave, me qëllim që në regjistrat zyrtarë prona të reflektojë vlerën e re.

Qeveria ka deklaruar se kjo do të jetë hera e fundit që kryhet kjo nismë, të paktën me të majtët në krye. Rivlerësimi do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2026.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë