Politike

Dekreti për kreun e KLSH? Balla: As nxitim e as vonesa

Fati i Vitore Tushës për në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit do të vendoset vetëm pasi presidenti Ilir Meta të shprehet për emërimin ose jo të Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm. Kjo është lëvizja e mazhorancës, e cila ka vendosur të presë reagimin e Metës të premten mbi propozimin e dytë për Lleshin dhe më pas të shprehet për dekretin e Vitore Tushës. E premtja është edhe afati maksimal ligjor i shprehjes së Presidentit mbi këtë propozim të dytë për ministrin e Brendshëm, ndërsa të enjten kryeparlamentari Gramoz Ruçi do të deklarojë futjen në procedurë të dekretit për kreun e KLSH-së.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një prononcim për median është shprehur disi i rezervuar mbi fatin që do të ketë dekreti i Presidentit për kreun e KLSH-së, duke theksuar se mazhoranca socialiste as nuk do të nxitohet dhe as nuk do të vonohet për votimin e kësaj kandidature.
“Me dekretin do njihemi ditën e enjte, ku sipas Kushtetutës, kryetari njofton seancën plenare dhe deri në shqyrtimin nga komisioni përkatës do hezitoja të bëja çdo koment. Vlerësojmë personalitetin e zonjës në funksionet që ka mbajtur. Është sukses në kalimin e vettingut, meriton gjithë respektin, po kini parasysh që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi merr jete pet shkak te prezencës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Do ndjekim procedurën sipas Kushtetutës për funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. S’ do ketë as vonesa as nxitim”, tha Balla.

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha e propozuar nga Presidenti në postin e kreut të KLSH-së

Qëndrimi numrit dy të PS-së ngjan me të njëjtën linjë me atë kryeministrit, ku “halli” i mazhorancës është Reforma në Drejtësi, e Tusha është anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Tusha e ka kaluar Vettingun e për këtë arsye është pjesë e strukturës së re të dalë nga Reforma në Drejtësi.
Pesë ditë më parë kryeministri do të shprehej se ishte pro kësaj kandidature, por në fakt jo që të caktohej në krye të KLSH-së. “Vitore Tusha gëzon të gjithë respektin tim. Ajo është një zonjë që ka qenë për vite të tëra në këtë detyrë. Ajo gëzon respekt sepse ka kaluar Vettingun. Unë nuk di historitë e të kaluarës me Nanon, por di që ne do të diskutojmë një fakt tjetër. Emërimi i zonjës si kryetare e Kontrollit të Lartë të Shtetit mund të vërë në pikëpyetje Reformën në Drejtësi. Kjo ka dalë e pastër nga Vettingu dhe mund të jetë potencial për KED. Ky është një diskutim për t’u bërë. Si kandidaturë nuk mund të thuash se është e dyshimtë. Edhe pse në KLSH ka pasur në detyrë një ekonomist dhe kjo nuk e ka këtë eksperiencë. Ne sot e kemi kreun e KLSH dhe largimi saj nga Gjykata Kushtetuese mund ta rrezikojë reformën në drejtësi. Nëse nuk sakrifikohet reforma në drejtësi e ka mbështetjen time. Nuk besoj se presidenti e ka propozuar për të dëmtuar reformën në drejtësi”, deklaroi Rama në emisionin Real Story në Vizion Plus.
Të enjten, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi do të njoftojë seancën për mbërritjen e dekretit të Presidentit Meta për të vendosur në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, anëtaren Vitore Tusha.

Neni 26, pikat 7 e Rregullores përcakton se në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligjesh, emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit, projektligje financiare ose ndryshimi i Buxhetit të Shtetit, shqyrtimi i akteve normative me fuqinë e ligjit, propozimet për emërim dhe shkarkim titullarësh të organeve që zgjidhen nga Kuvendi, mocionet e kërkuara, projektligjet ose projektvendimet e mbartura nga programi paraardhës, si dhe çështjet që lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme.
Ndërsa pritet që Komisioni parlamentar i Ekonomisë të zhvillojë një seancë me Vitore Tushen të propozuar në këtë post dhe të hartojë raportin përkatës.
Presidenti i Republikës propozoi me 5 nëntor emrin e Vitore Tushajt për t’i propozuar Parlamentit si kandidaturë për të emëruar në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Kuvendi nuk u mblodh me datën 8 nëntor, pasi kryeparlamentari Ruçi njoftoi se për shkak të shqyrtimit të buxhetit të shtetit dhe të paketës fiskale nuk do të kishte seancë. Ndoshta kjo ishte një lëvizje taktike e mazhorancës që la pezull edhe çështjen e dekretit të Presidentit për kreun e KLSH-së për shkak të fatit të propozimit të kryeministrit për emërimin e Lleshit si ministër të Brendshëm.

Ndërsa sa i përket çështjes Lleshi, mazhoranca duket se e ka ezauruar këtë debat të hapur, pasi pretendon se i ka ofruar presidentit mënyrën e zgjidhjes së kësaj çështjeje, duke i hequr gjeneralit gradin dhe zhveshur si ushtarak e dekretuar si ministër të Brendshëm.
Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Kushtetuta është shumë e qartë sa i përket çështjes “Lleshi” dhe se kryeministri i ka ofruar presidentit një zgjidhje konkrete. “Për të tejkaluar një problem që u krijua pa dashje nga ana e Presidentit sepse Kushtetuta është shumë e qartë”, theksoi numri dy i PS-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë