Politike

Dekretet, Rama letër Ruçit: Qeveria jo funksionale, mblidh Kuvendin

Parlamenti ka vendosur që të zhvillojë nesër pasdite seancën e jashtëzakonshme për të votuar dekretet për shkarkim dhe emërim ministrave. Në kushtet kur presidenti Ilir Meta po reziston dhe shtyrë në kohë dekretimin e kryeministrit Edi Rama edhe si ministër i Jashtëm, mazhoranca ka vendosur që të miratojë dekretet e tjera për ndryshimin e qeverisë, 8 anëtarëve të saj.
Sot konferenca e kryetarëve e Kuvendit ka vendosur që të thërrasë sesionin e jashtëzakonshëm për të votuar dekretet për shkarkimin dhe lirimin e ministrave.

Mësohet se vendimi i konferencës u mor, pas letrës që kryeministri Edi Rama i kishte paraqitur zyrtarisht kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për të mbledhur seancën me qëllimin për të votuar dekretet e presidentit Meta.
“I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit, bazuar në nenin 74, pikat 2 e 3, të Kushtetutës, dhe 42, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, Ju paraqes kërkesën e motivuar me shkrim për thirrjen e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm. Motivi i paraqitjes së kësaj kërkese lidhet me shqyrtimin dhe miratimin e dekreteve të Presidentit te Republikës për lirim dhe emërim të Zëvendëskryeministrit dhe të disa ministrave, në kuadër te ristrukturimit organik të qeverisë, për zgjerimin e objektivave të qeverisë në frymën e reformimit, përmirësimit dhe transformimit të shërbimeve, zgjerimin e kapaciteteve dhe rritjen e efikasitetit të punës. Në mbështetje të pikës 2, të nenit 42, të Rregullores së Kuvendit, kërkoj thirrjen e mbledhjes së Kuvendit dhe mbajtjen e seancës plenare, për votimin e dekreteve te Presidentit të Republikës për lirim dhe emërim Zëvendëskryeministri dhe të disa ministrave”, thuhet në letrën e kryeministrit të datës 14 janar.

Letra e kryeministrit Edi Rama drejtuar kryeparlamentarit Ruçi

Gjithashtu kryeministri ka dhënë edhe argumentin e tij se pse kërkon që të realizohet një seancë e Jashtëzakonshme e Parlamentit. “I nderuar zoti Kryetar, Thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, krahas garantimit të respektimit të afateve kushtetuese për shqyrtimin e dekreteve të lirim/emërimit çmoj se i shërben funksionimit normal dhe me kapacitet të plotë të kabinetit qeverisjes”, thekson më tej kryeministri.


Gjithsej në seancën e nesërme janë 16 dekrete për t’u votuar nga Parlamenti. Vec shkarkimit dhe emërimit të ministrave parashikohet të votohet edhe dekreti për ndryshimin e strukturës së Këshillit të Ministrave, pasi shtoi posti i ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Kryeministri shpalli ndryshimet në qeveri më 28 dhjetor gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së. Edhe pse nuk thuhet zyrtarisht ku largim masiv i ministrave mund të cilësohet si një kabinet “Rama 3”. Propozimet për ndryshim ministrash u paraqitën më 4 janar te Presidenti, në mes tyre ishte edhe ai për shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, por që mbeti pezull, pasi refuzua nga ana e presidentit Ilir Meta, i cili kontestoi caktimin në këtë detyrë të zëvendësministrit Gent Cakaj.

Për këtë Rama u detyrua që të paraqesë një kërkesë të dytë në Presidencë, duke propozuar shkarkimin e Bushatit nga posti i kryediplomatit dhe emërimin kryeministrit edhe si ministër i Jashtëm.
Sot nga Lezha, presidenti theksoi se do të shprehej për kërkesën e dytë të kryeministrit dhe se do të shqyrtohej sipas të gjitha afateve kushtetuese. Brenda 7 ditëve presidenti duhet të përgjigjet për kërkesën që iu paraqit dje në Presidencë.
“Për këtë çështje besoj se e kam dhënë një përgjigje dje. Dhe do të jap një përgjigje të qartë, të përgjegjshme, shteruese, me qetësi, por pa dashuri, brenda afateve kushtetuese”, deklaroi Meta.

Dekretet e ministrave

Zëvendëskryeministër
Senida Mesi-shkarkohet
Erjon Bracce- emërohet

Ministër i Financave
Arben Ahmetaj-shkarkohet
Anila Denaj-emërohet

Ministër i Arsimit
Lindita Nikolli-shkarkohet
Besa Shahini-emërohet

Ministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës
Damian Gjinkuri- shkarkohet
Belinda Balluku- emërohet

Ministër i Bujqësisë
Niko Peleshi- shkarkohet
Bledi Ccucci-emërohet

Ministër i Shtetit për Sipërmarrjen
Sonila Qato- shkarkohet
Eduard Shalsi-emërohet

Ministër i Kulturës
Mirela Kumbaro-shkarkohet
Elva Margariti-emërohet

Ministër shtetit për Marrdhënien me Parlamentin
Elisa Spiropali-emërohet


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë