Taksa

Deklarimi i të ardhurave / Tatimet nisin investigimin e qytetarëve që listojnë banesa në Booking dhe Airbnb

Nga Gazeta ‘SI’ – Në kuadër të luftës kundër informalitetit, drejtoria e Tatimeve ka nisur investigimin e individëve që lëshojnë banesat e tyre me qira afatshkurtër.

Sipas njoftimit të Tatimeve, administrata po bashkëpunon me homologë holandezë e irlandezë për monitorimin e qytetarëve që përfitojnë të ardhura nga platformat Booking dhe Airbnb.

Tatimi i të ardhurave nga ky aktivitet që po konkurron fort dhe hotelerinë ka qenë një ndër planet e qeverisë vitet e fundit, por pas shumë propozimesh u vendos vetëm detyrimi i deklarimit vjetor i të ardhurave, DIVA, që vjen nga Booking, Airbnb apo të ngjashme.

Drejtoria e Tatimeve rikujton se afati i plotësimit të DIVA-s përfundon më 31 mars 2025 dhe janë të detyruar ta plotësojnë të gjithë të dypunësuarit dhe ata që kanë përfituar më shumë se 1.2 milionë lekë në një vit.

Tatimet kanë njoftuar se janë 143 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar në një apo më shumë punëdhënës që detyrohen të paguajnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave. Në rast se individët nuk e plotësojnë deklaratën, sipas ligjit, penaliteti nis me 3 mijë lekë dhe më pas aplikohen kamatëvonesa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë