Taksa

Deklarimi i DIVA-s/ Afat deri më 31 mars për individët me të ardhura mbi 1.2 mln lekë

Nga Gazeta ‘SI’ – 31 marsi është afati i fundit i deklarimit të të ardhurave personale, për individët që kanë realizuar të ardhura mbi 1.2 mln lekë.

Deri në vitin 2023 kufiri i deklarimit për të ardhurat bruto ishte 2 milionë lekë e sipër. Ndërsa afati për plotësimin e DIVA-s ishte fundi i muajit prill.

Individët që janë të punësuar vetëm në një punëdhënës, por kanë dhe të ardhura të tjera me burim brenda vendit, për të cilat është mbajtur tatimi në burim, kanë detyrimin vetëm për të deklaruar, por nuk kanë për të kryer pagesë tatimi.

Ka edhe të ardhura të tjera, të cilat mund të jenë me burim në Republikën e Shqipërisë, por që nuk u është mbajtur tatimi të cilat duhet që të deklarohen, të llogaritet tatimi dhe të paguhet.

Kjo kategori tatimpaguesish, në rast se do të ketë të ardhura nga jashtë Republikës së Shqipërisë, duhet të marrin dokumentacionin për këto të ardhura dhe për tatimin e paguar, nëse është paguar jashtë vendit.

Në DIVA përfshihet deklarimi i të ardhurave bruto nga marrëdhëniet e punësimit ose të ngjashme me to, nga dividenti, qiraja, fitimi kapital nga shitja e pasurive të paluajtshme; interesa bankare etj.

Në rast se nuk do të plotësohet në kohë Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave, ligji parashikon penalitet prej 3 mijë lekë për deklarim të vonuar.

Deklarata për të ardhurat e realizuara në vitin 2024 paraplotësohet nga sistemi e-Filing me të ardhurat e deklaruara nga paga, në çdo listëpagesë ku individi është i regjistruar si i punësuar. Deklarata ka të paraplotësuar edhe tatimin e përllogaritur, edhe atë të paguar, si vlerën e detyrimit për t’u paguar, në rast se rezulton me pagesë.

Sipas të dhënave zyrtare të Administratës Tatimore vitin e shkuar detyrimin për plotësimin e DIVA-s për vitin 2023, e kishin 73.790 individë, nga të cilët 24.224 me të ardhura mbi 2 milionë lekë dhe 49.566 të dypunësuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë