Politike

Deklaratat për Gonzaton/ PS kërkon përjashtim deri në 2 muaj të Berishës nga Kuvendi

Nga Gazeta ‘Si’- Një grup deputetësh socialistë kanë kërkuar përjashtimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha deri në dy muaj nga punimet e Kuvendit, pasi ata pretendojnë se ka ofenduar ambasadorin e Bashkimit Europian, Silvio Gonzato.

Në kërkesën drejtuar Sekretariatit të Etikës, PS argumenton se deklaratat e Berishës ishin fyese, denigruese dhe diskriminuese.

Në shkresën e socialistëve thuhet ndër të tjera se është cenuar jo vetëm dinjiteti personal i përfaqësuesit diplomatik, por edhe imazhi institucional i Kuvendit të Shqipërisë.

Kujtojmë se dje, u debatua mbi 12 orë në Kuvend, veçanërisht për Projektligjin e Barazisë Gjinore, i cili u miratua me 77 votat e mazhorancës.  

Berisha e kundërshtoi ashpër këtë ligj, duke thënë me bindje se “godet familjen” dhe “se nuk ka lidhje me direktivat e Bashkimit Europian”.

Nisur nga këto argumente, ai i bëri thirrje nga foltorja ambasadorit Gonzato, të shpjegonte se ku janë marrë ato direktiva si bazë për ndryshimet në atë ligj.

Deklarata e tij solli edhe reagimin e Komisioneres së BE për Zgjerim, Marta Kos, e cila tha se linjëzimi i legjislativit të Shqipërisë me këto parime të BE, është pjesë e procesit të pranimit në Union.

U pasua më pas edhe me reagimin e kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi ndjesë për sjelljen e kundërshtarit të tij dhe përdorimin e emrit të ambasadorit për një qëllim të ulët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë