Dosje

Deklaratat e Nuredin Dumanit, reagon ish-ministri Nasip Naço: Distancohem! Organet e drejtësisë të hetojnë

Nga Gazeta ‘SI’ – Ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka reaguar pasi u përmend në gjykatë gjatë dëshmisë që dha aty vrasësi me pagesë, Nuredin Dumani.

Në reagimin e tij, ish-ministri Nasip Naço thotë se distancohet nga kjo dëshmi dhe kërkon hetim të thelluar mbi rastin.

“Distancohem nga çdo akuzë e bërë publike sot dhe ftoj organet e drejtësisë që të kryejnë një hetim të thelluar mbi këtë rast. Nëse akuzat vërtetohen, organet përkatëse duhet të marrin masa ligjore ndaj çdo personi të përfshirë në këtë çështje.

Roli i Ministrit të Drejtësisë, sipas legjislacionit në fuqi, është i kufizuar. Ministri:

– Nuk heton,

– Nuk ngre akuza,

– Nuk pushon çështje,

– Nuk jep vendime fajsie apo pafajsie.

Detyra e tij lidhet vetëm me dhënien e lejeve të veçanta për të dënuarit, bazuar në ligj.

Gjatë ushtrimit të detyrës sime si Ministër i Drejtësisë, nuk kam miratuar asnjë leje të veçantë për subjektin në fjalë. Distancohem nga çdo mashtrim, i bërë nga kushdo, individualisht apo në bashkëpunim, për të dëmtuar integritetin tim. Akuzat publike të bëra sot nuk përputhen me faktet reale të ushtrimit të detyrës sime si ministër” është shprehur Naço.

Sipas Nuredin Dumanit, ai ishte arrestuar për disa krime të tij, por kishte shpëtuar nga gjykimi falë ndihmës që i kishte dhënë dhëndri i vëllait të Nasip Naços, të cilin e kishte paguar 40 mijë euro.

“Kam paguar para që të dilja nga burgu, kisha avokat Alban Bengasin. Më ka ndihmuar dhëndri i vëllait të Nasipit që është mjek. Një mjek ligjor (s’më kujtohet emri) më bëri në gjendje të rëndë për të më liruar nga burgu. Mjeku ligjor m’i bëri letrat sikur vuaj nga zemra” u shpreh Dumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë