Politike

Deklaratat e Marta Kos për zgjedhjet e 11 Majit, PD notë verbale delegacionit të BE

Gazeta Si – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, në emër të opozitës, i ka paraqitur sot një letër zyrtare delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, duke vënë në dijeni edhe Komisionin Europian dhe Parlamentin Europian, lidhur me deklaratat e Komisioneres Marta Kos për zgjedhjet e 11 majit.

Bardhi thekson se po përcjell qëndrimin e opozitës në lidhje me deklaratën e bërë nga Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë konferencës për shtyp të datës 21 nëntor 2025 në Tiranë, e mbajtur bashkë me Kryeministrin Edi Rama.

Komisionerja për zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, deklaroi pak ditë më parë se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira e të ndershme.

Sipas Partisë Demokratike, deklarata të tilla minojnë besimin e qytetrëve shqiptarë tek vlerat europiane të institucioneve të BE-së.

Ndër të tjera europarlamentari Gahler theksoi se ndikimi i përhapur i këtyre rrjeteve jo vetëm që deformon procesin zgjedhor, por përbën edhe një pengesë themelore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk mund të mbyllë sytë ndaj një infiltrimi kaq sistematik kriminal dhe ndikimit të tij shkatërrues mbi demokracinë.

Sipas notës-verbale të opozitës vërejtjet e paraqitura nga OSBE-ODIHR-i nuk e mbështesin përfundimin se “zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme”.

“Ndershmëria kërkon kushte të barabarta për të gjithë garuesit, mundësi të barabarta, mungesë të përfshirjes së grupeve kriminale dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit. Liria kërkon që qytetarët të votojnë pa presion, pa stimuj financiarë të paligjshëm dhe pa intimidim të punonjësve të administratës publike ose të grupeve vulnerabël”, shkruan Bardhi.

“Iinterpretimet personale që nuk bazohen në gjetjet faktike të këtyre institucioneve mund të kontribuojnë pa qëllim në uljen e besimit publik tek vlerat e vërteta evropiane që institucionet e Bashkimit Evropian synojnë të mbrojnë”, – mbyllet nota verbale e grupit parlamentar të PD.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë