Presidenca bullgare, që perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor e kishte në krye të agjendës së vet gjashtëmujore, e që mbyllet në fund të këtij qershori, e cilësoi një arritje të madhe deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
“Ky rezultat është përfitimi direkt për këto dy vende për progresin që kanë bërë dhe përafrimit me vlerat europiane”, deklaroi zv.Kryeministrja bullgare, Ekaterina Zaharieva.
Por çfarë thotë deklarata e përbashkët e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian posaçërisht për Shqipërinë?
Së pari Këshilli njeh progresin e bërë në pesë prioritetet kyçe, që janë reforma në administratën publike, ajo në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Për reformën në drejtësi riktheksohet rëndësia që ka procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, njohur si Vettingu.
“Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka nisur të japë rezultate, përfshirë edhe në rangun më të lartë të anëtarëve të drejtësisë nën monitorimin e ndërkombëtarëve. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe të çojë më tej reformën në drejtësi me objektiv rrijten e pavarësisë, llogaridhënies, profesionalizimit dhe efikasitetit të sistemit. Kjo realizohet përmes avancimit më tej të procesit të vettingut, që është thelbësor”, thotë Këshilli.
Së dyti, Këshilli mirëpret përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por thekson se kjo luftë duhet të hyjë në një fazë tjetër.
“Këshilli thekson rëndësinë që kanë për Shqipërinë rezultatet konkrete në këtë fushë, sidomos sa i takon luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë dhe të thellojë përpjekjet për të reduktuar kultivimin e kanabisit, bazuar në rezultatet domethënëse që janë vërejtur muajt e fundit. Këshilli njeh bashkëpunimin e ngushtë të autoriteteve shqiptare me agjencitë ligjzbatuese europiane dhe pret që kjo praktikë me përfitim të ndërsjellë të vazhdojë”, vijohet më tej.
Pika e tretë e raportit ka nota më kritike dhe në të kërkohet përshkallëzimi i përpjekjeve për të ndëshkuar korrupsionin në nivele të larta.
“Këshilli nënvizon nevojën që ka Shqipëria për të përshkallëzuar përpjekjet dhe për të prodhuar rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe çmontimit të rrjeteve të krimit të organizuar. Në kuadër të reformës në drejtësi, institucionet e specializuara të parashikuara për këtë qëllim nuk janë ngritur ende. Vendosja e një rekordi pozitiv dhe solid të hetimit dhe dënimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në të gjitha nivelet mbetet ende një objektiv afatgjatë dhe vazhdon të kërkojë energji dhe përpjekje të mëtejshme”, thotë raporti.
Duke u ndaluar tek klima politike në vend, Këshilli bën thirrje për një dialog konstruktiv dhe frutdhënës mes qeverisë dhe opozitës përsa u përket reformave të kërkuara nga Brukseli, që i cilëson thelbësore për përafrimin e vendit me BE-në. Kërkohet gjithashtu edhe ndërmarrja e nismave ligjore që rrit konkurrueshmërinë dhe lufton informalitetin në ekonomi.
Njihen përpjekjet për të parandaluar fluksin e azilkërkuesve shqiptarë në BE. “Këto masa duhet të thellohen më tej dhe Shqipëria duhet të vazhdojë bashkëpunimin me vendet e BE-së të prekura nga ky fenomen”, thuhet aty.
Por, përfundimi i dakordësuar i krydiplomatëve të BE-së është një deklaratë evazive.
“Këshilli pranon dhe i përgjigjet pozitivisht progresit të shënuar nga Shqipëria, sidomos në pesë prioritetet kyçe dhe hap rrugën drejt çeljes së bisedimeve të anëtarësimit në qershor të 2019. Megjithatë, Këshilli nënvizon nevojën kritike që Shqipëria të konsolidojë më tej progresin në reformën në drejtësi, sidomos përmes vettingut dhe të prodhojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe krimit të organizuar, sidomos në fushën e trafikut të drogës”, thuhet aty.
Pikërisht pjesa kur Këshilli thotë që “hap rrugën drejt çeljes së bisedimeve të anëtarësimit në qershor të 2019” interpretohet në mënyra të ndryshme në Tiranë. Opozita e lexon si refuzim të pastër të Bashkimit Europian.
“Hapja e negociatave për Shqipërinë u shty edhe për një vit. Krimi dhe korrupsioni po mbajnë peng të ardhmen tonë. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do jetë refuzues si sot. Tani është momenti për një kthesë të madhe për të shpëtuar vendin dhe të ardhmen tonë europiane”, thotë Lulzim Basha.
Qeveria, nga ana e saj si vendim pozitiv dhe me datë konkrete në formë shpërblimi për reformat e ndërmarra.
"Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Europës së Bashkuar. Rezultatet e reformave tona bënë që dhe më skeptikët të njohin meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Një betejë tejet e vështirë u fitua! Lufta vijon”, shkruan Edi Rama në rrjetet sociale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.