Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka hequr paralelen e gabuar teksa fliste për mediat kroate për luftën Rusi-Ukrainë.
Milanoviç tha se ishte Rusia shteti që kishte bërë aneksimin dhe e krahasoi atë me rastin e Kosovës.
Ai tha se Kosova i përkiste Serbisë por u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare.
“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë Milanoviç.
Ai shtoi më tej se nuk ishte në pikëpyetje kontestimi i Kosovës por krahasimi i koncepteve të cilat sipas tij janë të njëjta, duke theksuar se ndërkombëtarët në njëfarë mënyre e rrëmbyen Kosovën nga Serbia duke e aneksuar dhe se e njëjta gjë po ndodhte edhe me Ukrainën.
Sipas tij, Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj. Milanoviç i quajti “çmenduri” disa diskutime në Parlamentin Europian rreth luftës në Ukrainë.
“Ne dhe serbët nuk e urrejmë njëri-tjetrin aq shumë”, ka thënë ndër tjerash presidenti kroat.
Këto deklarata të presidentit kroat, u zbardhën në mediat serbe të cilat e kanë publikuar deklaratën e tij me titullin: “Milanoviç e pranoi, Kosova u rrëmbye nga Serbia”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




