Presidenti amerikan Donald Trump do të tërhiqet nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës brenda disa ditësh, nëse nuk ka shenja të qarta se një marrëveshje mund të arrihet, tha të premten Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
“Nuk do të vazhdojmë me këtë përpjekje për javë dhe muaj me radhë. Prandaj duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shpejt, e kam fjalën për disa ditë, nëse kjo është e realizueshme në javët e ardhshme,” tha Rubio në Paris pas takimeve me liderë evropianë dhe ukrainas.
“Presidenti e ndjen shumë këtë çështje. Ai i ka kushtuar shumë kohë dhe energji … kjo është e rëndësishme, por ka edhe shumë gjëra të tjera me rëndësi të madhe që meritojnë po aq, në mos më shumë vëmendje.”
Paralajmërimi i Rubios erdhi në një kohë kur ka shenja përparimi në bisedimet SHBA–Ukrainë.
Trump tha të enjten se priste të nënshkruante një marrëveshje me Kievin javën e ardhshme që do t’i jepte SHBA-ve akses në mineralet e Ukrainës. Një përpjekje për të nënshkruar një marrëveshje për mineralet në shkurt dështoi pas përplasjes së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy me Trumpin dhe Zëvendëspresidentin JD Vance në Zyrën Ovale.
Komentet e Rubios të premten nënvizojnë zhgënjimet në rritje në Shtëpinë e Bardhë për mungesën e përparimit në përpjekjet për të zgjidhur një listë në rritje sfidash gjeopolitike.
Trump premtoi gjatë fushatës elektorale se do ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda 24 orëve të para në Shtëpinë e Bardhë. Ai e zbuti këtë premtim pasi mori detyrën, duke sugjeruar një marrëveshje deri në prill ose maj, ndërsa pengesat u shtuan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.