Nga Gazeta ‘Si’- Në një intervistë dhënë ditën e djeshme (6 janar), kryeministri i Kosovës Albin Kurti u pyet për raportet që ka patur me emisarin Richard Grenell dhe administratën Trump.
Kurti deklaroi se raportet e Kosovës me Amerikën janë të shkëlqyera dhe shtoi se Richard Grenell është emëruar me detyra në Kore, Venezuelë e misione të posaçme dhe sipas tij, e kaluara nuk do të ndikojë në raportet aktuale.
“Në raport me Amerikën kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme, që nuk janë vetëm në diplomaci por edhe të mbrojtjes e zhvillimit. Në fushën e mbrojtjes po bëjmë më shumë blerje. Po bëjmë trajnime të ndryshme. Nuk shoh kurrfarë vështirësish për marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA, që janë partneri ynë kryesor. Unë nuk besoj që do të ndikojnë në raportet tona. Ish-emisari Grenell ka detyrë për Korenë e Jugut, Venezuelën dhe misione të posaçme, është e rëndësishme çfarë emërime të reja do të ketë në administratë”, tha Kurti për Kosovapress.
Mirëpo, nuk vonoi shumë dhe i nominuari nga presidenti Donald Trump për Misione të Posaçme në botë, Richard Grenell, mohoi pretendimet e tij se raportet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyera.
Në një prononcim për mediat në Kosovë, Grenell tha se raportet e mira në mes të dy vendeve i ka lënduar Kurti.
Sipas tij, të gjithë liderët tjerë kosovarë kanë pasur raportet të mira me SHBA-të përpos Kurtit.
“Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – SHBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”, deklaroi Grenell.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.