Sirena alarmi u dëgjuan në Mitrovicë të Veriut, mesditën e së premtes( 26 maj)ndërkohë që qytetarët u mblodhën para objekteve komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Para ndërtesës së komunës në Zveçan gjenden edhe makina të Policisë së Kosovës. Kjo e fundit nuk ka dalë ende me informacione se për çfarë bëhet fjalë.
Ish-këshilltari në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, Milija Bishevac, tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët janë mbledhur para ndërtesës së komunës të bindur se “kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri, po tenton të hyjë në objekt”.
“Ka makina, ku besohet se gjendet ai [kryetari i qytetit] dhe se ai po përpiqet të hyjë në ndërtesën e komunës”, tha Bishevac.
Bishevac konfirmoi se janë aktivizuar edhe sirena rreziku. Në terren, sipas tij, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX, gjenden rreth ndërtesës së komunës.
“Njerëzit janë mbledhur atje dhe do të presim të shohim se çfarë do të ndodhë”, shtoi ai.
EULEX-i nuk e konfirmoi se pse është i pranishëm në komunën e Zubin Potok.
Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë – bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Ceremonitë e betimit u mbajtën në objekte publike, sepse në objektet e komunave ka organe të përkohshme komunale, të cilat punojnë në sistemin e Serbisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




