Nga Gazeta Si- “Kam 20 vjet që nuk dëgjoj mirë, atëherë isha 65 vjeç kur veshët nisin të më zhurmonin dhe zërat i dëgjoja gjithnjë e më dobët. Nuk pata mundësi të vendosja aparate, ishin diçka e panjohur këtu tek ne dhe kushtonin shtrenjtë po ti blije dhe jashtë”.
Nënë Qabireja është sot 75 vjeç dhe sapo ka vendosur aparatin e dëgjimit.
‘Të paktën një nga veshët nuk më është dëmtuar shumë dhe pata mundësi të vendosja aparatin, tjetri nuk ka asnjë shpresë që të dëgjoj as me aparatin e dëgjimit, sipas mjekut’, vijon ajo.
Me profesion mësuese e ciklit të ulët, e moshuara tregon se ka punuar 30 vjet në arsim me fëmijë të moshës 6-10 vjeç.
E pyetur nga Gazetasi.al doktoresha Otorinolaringologe Anjeza Kuçi thotë se mësuesit janë kategoria e parë më e prekur nga problemet e dëgjimit, e cila paraqitet më shpesh për të vendosur aparatin e dëgjimit.
‘Nga puna ime e përditshme konstatoj raste të shumta të pacientëve me probleme të dëgjimit, të cilët kanë punuar për shumë vite në shkollë si arsimtarë. Kjo kategori vlerësohet se preket që në moshën 40-45 vjeç’, thotë doktoreshë Anjeza Kuçi.
Sipas saj, të tjera kategori me dëgjimin mund të përmenden minatorë, saldatorë, punonjës që punonin në fabrika tezgjahu dikur, ose punonjës që punojnë sot në fasoneri, call center, punonjësit në ndërtim që punojnë me trapan dhe mjete te rënda.
“Edhe parukieret që përdorin tharëset për një kohë mbi 8 orë në ditë, janë të rriskuar nga problemet e dëgjimit’, shton mjekja Anjeza Kuçi në poliklinikën nr.3 të Specialiteteve në Tiranë.
Të dhënat e censit 2023 treguan se, problemet me dëgjimin nisin mbi moshën 35 vjeç tek meshkujt dhe mbi 50 vjeç dyfishohen rastet tek femrat.
‘Në meshkujt 35-39 vjeç kemi 437 raste që raportojnë vështirësi në dëgjim, kjo shifër trefishohet në grupmoshën 60-64 vjeç ku 1304 qytetarë raportuan probleme të dëgjimit. Shifrat rriten në 65-69 vjeç me 1674 dhe 75-79 vjeç me 2672 raste për të kulmuar në moshën 80-84 vjeç me 3408 raste.
Kurse tek femrat, vështirësitë në dëgjim nisin në moshën 50-54 vjeç ku raportohen 642 raste për të vijuar me grupin e moshës 55-59 vjeç me 800 raste dhe 60-64 vjeç me 1273 raste. Shifrat rriten në mënyrë progresive për grupmoshën 65-69 vjeç me 1681 raste, 70-74 vjeç me 2324 për të kulmuar në moshën 80-84 vjeç ku 4106 qytetarë kanë deklaruar se vuajnë nga mungesa e dëgjimit.
Çfarë është humbja e dëgjimit?
Ulja e dëgjimit (Hypoacusia) konsiston në zvogëlimin e kapacitetit dëgjimor që mund të jetë e njëanshme ose e dyanshme. Patologjitë e dëgjimit paraqesin interes veçanërisht në lidhje me zhvillimin e të folurit ose dëmtime të mundshme të tij.
Sa lloje humbje dëgjimi kemi?
Humbjet e dëgjimit i ndajmë në:
Uljet e dëgjimit konduktive i detyrohen transmetimit jo korrekt të tingullit që nga pjesa e jashtme e veshit deri tek veshi i brendshëm (Cochlea). E gjejmë në patologjitë e veshit të jashtëm dhe të mesëm.
Uljet e dëgjimit sensorineurale përfshijnë veshin e brendshëm (Cochlean) dhe nervin e dëgjimit dhe mund të prekin qelizat receptore sensitive, neuronet e nervit statoacusticus duke i penguar të funksionojnë normalisht. Në këto raste ulja e dëgjimit quhet humbje e dëgjimit.
Ulja e dëgjimit mikse është ajo formë e uljes së dëgjimit ku kemi elemente sensorineural dhe transmetues (psh. otoskleroza).
Kur shfaqet dhe cilët janë shkaktarët e humbjes së dëgjimit?
Tre janë patologjitë më të shpeshta që hasim:
Patologjitë që vijnë si pasojë e rritjes dhe ndryshimit të moshës (Presbiacusia). Shkaqet e humbjes së dëgjimit mund të jenë me natyrë gjenetike që shfaqet në disa breza; si pasojë e ekspozimit të vazhdueshëm ndaj zhurmave; vaskulare si pasojë e ishemisë kronike nga arteroskleroza etj.
Patologjitë ku ulja progresive e dëgjimit i detyrohet ekspozimit për kohë të gjatë ndaj tingujve me intensitet të lartë. Ndeshet më shpesh në popullsinë që jeton në zona të industrializuara dhe shpesh është sëmundje profesionale. (Gjithashtu duhet theksuar që përherë e më tepër gjejmë mosha të reja me këtë patologji si pasojë e përdorimit të kufjeve për të dëgjuar muzikë apo për motive pune). Ekspozimi ndaj zhurmës rrit çlirimin e glutamatit i cili është neurotransmetues ndërmjet qelizave nervore dhe sinapseve të fibrave nervore aferentë, dhe niveli i lartë i këtij neurotransmetuesi ka efekt neurotoksik duke shkaktuar dëmtimin e Cochlesë që shoqërohet pastaj me ulje progresive të dëgjimit.
Shurdhësia e menjëhershme mund të shfaqet papritur në një person i cili nuk ka pasur më parë humbje dëgjimi. Humbja e dëgjimit është përgjithësisht e rëndë. Pas një periudhe ditësh apo javësh, kjo humbje e thellë mund të zvogëlohet dhe në disa raste, zhduket komplet. Zhurma në vesh (Tinitus) mund të jetë present. Ky përfundim klinik i menjëhershëm që shoqërohet me humbje të thellë sensorineurale të dëgjimit është konsideruar që të ketë baza vaskulare (Vazospazma vaskulare- emboli vaskulare), por më shpesh sëmundjet virale janë menduar që janë shkak kryesor për të. Është e njohur prej kohësh, për shembull që parotiti ( shytat) shkakton humbje dëgjimi unilaterale të thella në fëmijë. Ky virus është ndër të vetmit që ndërhyjnë edhe në Cochlea.
Ndryshimi i gjendjes fizike si për shembull operacione, stres apo udhëtimet. Gjithashtu, dhe tumoret, një përqindje e vogël e neuromave mund të shkaktojnë humbje të menjëhershme.
Si trajtohet humbja e dëgjimit?
Dëgjimi është një nga shqisat tona më të rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme në trajtimin e çdo forme të uljes së dëgjimit është diagnoza sa më e hershme dhe ndjekja nga specialistët.
Trajtimi ka për qëllim rehabilitimin e dëgjimit. Vlerësimi i çrregullimeve të dëgjimit në raport me rehabilitimin psiko-social duhet të bazohet jo vetëm në shkallën dhe vendin e humbjes së dëgjimit por edhe në moshën e të sëmurit, zhvillimin fizik, mendor dhe të folurin. Qëllimi i rehabilitimit të dëgjimit është rikuperimi ose përmirësimi i komunikimit i cili është shumë i rëndësishëm për integrimin e pacientit në jetën sociale. Ka disa metoda të ndryshme për rehabilitmin e dëgjimit. Cila prej tyre do të aplikohet varet nga natyra dhe shkalla e humbjes së dëgjimit.
Kështu ulja e dëgjimit e tipit transmetues korrigjohet pas trajtimit të duhur të patologjive të veshit të mesëm dhe të jashtëm ( me medikamente dhe ndërhyrje kirurgjikale).
Trajtimi i uljeve të dëgjimit të menjëhershme përfshijnë vazodilatatoret, steroidet, dhe antihistaminikët, por nuk është përcaktuar përfundimisht se cilat medikamente janë më efikase. Një nga trajtimet më efektive ngelet pushimi dhe largimi i stresit. Në rast se pacienti paraqitet brenda 48 -72 orëve pas humbjes së dëgjimit duhet këshilluar regjimi shtrirë madje edhe hospitalizim dhe sedacion.
Cilat janë disa këshilla si të ruajmë dëgjimin?
Gjëja më e rëndësishme është diagnostikimi sa më i hershëm veçanërisht në moshat fëminore.
Mos ekspozimi ndaj zhurmave dhe ngacmimeve akustike të vazhdueshme dhe veçanërisht me intensitete të larta.
Kujdes në përdorimin e antibiotikëve dhe të preparateve ototoksike.
Trajtimi adekuat i patologjive që mund të çojnë në uljen e dëgjimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.