Treg

Deficiti i skemës së pensioneve u thellua me 23% në 6-mujor

Edhe pse në 6-mujorin e parë të ardhurat nga sigurimet shoqërore ishin në rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, deficiti i skemës së pensioneve është zgjeruar më tej.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) raportoi se gjatë 6-mujorit, ky deficit arriti në 12,6 miliardë lekë ose 23% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, ku deficiti i skemës ishte 10.3 miliardë lekë.

Deficiti po zgjerohet për shkak se shpenzimet po rriten me shpejt se ritmet e grumbullimit te të ardhurave nga kontributet.

Vetëm në 6 muajt e parë të këtij ISSH raporton se kanë plotësuar kriteret për pension rreth 11 mijë persona ku zakonisht skema e pensioneve shtohet me 15-16 mijë pensionistë në vit, ku shumica janë përfitues të skemës se pleqërisë.

Deficiti i skemës së pensioneve do të ishte më i lartë nëse nuk do të ishte miratuar reforma e re pensioneve që hyri në fuqi në fillim të vitit 2015, e cila rriti moshën e daljes në pension e për rrjedhojë  frenoi numrin e pensionistëve të rinj në skemë.

Shkaqe të tjera janë numri i ulët i kontribuuesve, mosdeklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e pensionistëve si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve ‘90 dhe mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT , në vitin 2021 paguan sigurime vetëm 778 mijë persona, teksa numri i përgjithshëm i popullsisë ishte mbi 2.8 milionë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë