Plani i deeuroizimit i Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për të ulur përdorimin e valutës së huaj në vend dhe për të rritur përdorimin e valutës vendase nuk po jep rezultatet e pritshme.
Niveli i përdorimit të valutës së huaj që në masë më të madhe është në Euro shfaqet në nivele shumë të larta, ndonëse pati një rënie të lehtë të përdorimit të saj në fund të 2020-ës në krahasim me fillimin e 2020-ës.
Nga statistikat e BSH-së vihet re se përdorimi më i madh i Euros përdoret në depozita, nga individët vetë dhe nga kompanitë e sigurimeve. Depozitat në Euro në dhjetor 2020 kanë rënë me 1.1% krahasuar me qershorin e të njëjtit vit, nga 52% në 50.9%, por duke mbetur përsëri më lart se Leku.
Likuiditeti në valutë ka pësuar rritje me 2.5% e cila ka ndikim pozitiv lidhur me emetimin e eurobondit në vend duke i dhënë hapësirë institucioneve kredituese për sektorin privat.
Kreditë në valutë të huaj kanë rënë me 2.3% në përfundim të vitit të shkuar, por qëndrojnë përsëri në nivel të lartë, 50.7% dhe nuk duket të ketë shenja për rënien e këtij niveli.
Kreditimi në valutë përbën rrezik për huamarrësit që mund të kenë të ardhura në valutë ndryshe nga huaja, cilësuar si kredia e pambrojtur ku në 90% rezulton në Euron dhe më pak në Dollar.
Ndonëse qeveria mori masa për minimizimin e Euros në tregun ekonomik të vendit tonë, huamarrja e brendshme e vetë qeverisë gjatë 2020-ës ishte 51.3% në valutë dhe 47.9% në monedhën vendase. Borxhi i jashtëm i shtetit shqiptar është po ashtu në Euro dhe pjesërisht në valuta të tjera ndërkombëtare.
Shqiptarët kanë përdorur Euron dhe në sektorë të tjerë përvec atij bankar. Të dhënat e AMF-së tregojnë se janë bërë në masën 100% në monedhën Euro sigurimet e Shëndetit, Jetës në Udhëtim dhe Jetës së Studentit. Gjithashtu, në përqindje të lartë në Euro janë, Sigurimi Kasko, Sigurimi i Aksidenteve dhe Shëndetit, Sigurimi i Pronës.
Tregu ku Leku është përdorura më shumë se valuta e huaj është shit-blerja e titujve qeveritarë, transaksionet e të cilëve janë kryer në Lekë në masën 95.1% dhe 4.9% në valutë.
Obligacionet, të cilat janë me maturim afatgjatë qenë të vetmet tituj qeveritarë që u blenë në valutë në masën e 53.5%.
Në tregun e fondeve të investimit, nga 6 fonde, 4 operojnë në Lekë, 1 operon plotësisht në Euro dhe një tjetër vetëm në valutë të huaj të papërcaktuar. Fondi i pensioneve operon plotësisht në Lekë.
Një paketë deeuroizimi ku qytetarët sigurojnë jetën me Euro, qeveria merr-jep borxh në Euro, marketi në lagje të jep fleksibilitetin e përdorimit të Euros dhe fondi i pensioneve kryhet në Lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.