Nevil Dede dhe Ilir Daja jetojnë në një lagje në Tiranë, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Jënë miq prej vitesh. Të dy janë shpallur kampionë me Elbasanin në vitin 2006, Daja në stol dhe Dede në fushë. Tani janë të dy trajnerë, Dede në krye të skuadrës ku për vite me radhë ka mbajtur shiritin e kapitenit, Tiranës, ndërsa Daja për herë të parë në karrierë drejton Partizanin.
Nesër do të jenë për 90 minuta “armiq” në “Air Albania Stadium”, ku luhet deri Tirana-Partizani, i vlefshëm për javën e 6-të të Superiores. Dede, në këtë rast “nxënësi”, sfidon “profesorin” Daja, fqinjin dhe mikun e tij, duke i besuar postulatit “derbi fitohet, nuk luhet”. Derbi është një ndeshje që e motivon vetvetiu skuadrën dhe e bën të japë gjithçka, edhe kur është në një moment të vështirë, si Tirana tani.

Në konferencën për shtyp trajneri Nevil Dede u përqendrua te geni fitues i Tiranës, foli më shumë për traditën dhe historinë, duke kaluar në plan të dytë gjendjen aspak të mirë të skuadrës që drejton prej tri javësh dhe ende nuk ka regjistruar fitoren e parë. “Tirana është “e dënuar” të fitojë dhe të pretendojë titullin. Brezat janë rritur me këtë filozofi, kështu është perceptuar ky klub”, – theksoi Dede. Me rikthimin e ndonjë lojtari ai beson se Tirana do të tregojë vlera në derbi, por e vërteta është se kundërshtari vjen më mirë në këtë ndeshje të rëndësishme.
Edhe Daja tregoi pak diplomaci në fillim të konferencës për shtyp, duke u shprehur: “Tirana mështë ekipi për t’u mundur”. Pastaj trajneri kryeqytetas, një profesor në futbollin shqiptar në kuptimin e plotë të fjalës, kaloi në anët e tjera të derbit. Trajneri i Partizanit është entuziast, duke parë që të tijtë janë rritur javë pas jave.

“Derbi më shumë është për tifozët, është ndeshje që duhet fituar, sepse të jep një bonus psikologjik për vazhdimësinë. E kemi përgatitur me qetësi derbin, sepse kemi një gjendje goxha të mirë. Nuk presim kundërshtarë si në ndeshjet e tjera, por lart koka do të jetë e ftohtë dhe zemra do të jetë zjarr. Kemi konsoliduar mirë edhe manovrën, kemi gjendje të mirë fizike dhe kemi shpirt skuadre, që duhet ta tregojmë patjetër nesër. Dede? Ka qenë një nga futbollistët më të mirë që kam drejtuar, me mentalitet fituesi. Nuk besoj se do ta kem unë frikë Nevilin, ai duhet të ketë respekt për mua”, – tha Daja mes të tjerash.
Trajneri kampion me Dinamon, Elbasanin dhe Skënderbeun i druhet vetëm terrenit të “Air Albanias”, që ka pasur probleme. Dora e tij te skuadra e kuqe ka nisur të ndihet, edhe pse nuk pati mundësinë të bënte merkato në verë. Partizanit ka shënuar 7 gola në 2 ndeshjet e fundit dhe nuk ka pësuar asnjë. Shifra që evidentojnë punën e trajnerit kryeqytetas, që nesër synon fitoren e parë në derbi si trajner i kuq. Dhe për ta arritur këtë duhet t’i japë një leksion njërit prej “nxënësve” më të mirë që ka pasur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.