Sociale

Dëbora zbardh Kukësin Shkodrën dhe Dibrën, disa fshatra pa energji elektrike

Nga Gazeta 'Si'- Kukësi është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës, ndërkohë që janë shfaqur vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Sipas informacioneve, qarkullimi i mjeteve vazhdon normalisht në rrugët nacionale ndërsa subjektet kontraktore po punojnë gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Furnizimi me energji elektrike është normal në gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç disa fshatrave: Shishtavec, Topojan dhe Zapod.

Raportohet se rruga Kukës-Peshkopi është bllokuar, pasi trashësia e dëborës arrin deri në 6 cm. Sakaq, reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar shtresa akulli në rrugë, ndërsa lëvizja e automjeteve bëhet me zinxhirë dhe goma dimërore.

Shkodër

Edhe Qarku i Shkodrës është përfshirë nga moti i keq këtë fundjavë, me reshje shiu e bore, megjithatë strukturat vendore raportojnë se të gjitha akset rrugoe janë të hapura dhe nuk paraqesin problematika.

Dibër

Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë Qarkun e Dibrës. Reshjet e borës kanë rënë deri në lartësinë 400 metra mbi nivelin e detit, duke përfshirë edhe qytetin e Peshkopisë.

Trashësia në lartësitë mbi 800 metra shkon në 10 cm ndërsa në zona të thella kalon mbi 20 cm. Situata rrugore vijon të jetë pa probleme.

Në aksin që lidh qytetin e Peshkopisë me Kukësin ka më shumë dëborë ndaj duhet të bëhet kujdes dhe të përdoren gomat e dimrit dhe zinxhirët në segmentin nga Cereni në kalanë e Dodës drejt Kukësit. Ndërkohë në Lurë dhe Selishtë ka rreth 15 cm dëborë, por nuk ka probleme

ARRSH

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se po pastrohen me kripë akset: Kukës-Krumë ,dhe Kukës-Ura e Zapotit, në segmentin rrugor Dushaj-Sheshi i Trageteve-Lekbibaj në lartësinë mbi 700m, në Qafë Thore, në Vau i Dejes-Pukë-Kukës,Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës, Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë-Tropojë-Shipshan-Sopot-Kërrnaje, Bajram Curri-Fierzë.

Drejtuesit e mjeteve duhet të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, si dhe të respektojnë sinjalistikën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë