Politike

Debati për votën e diasporës/ Klosi: Propozimi që të votohet me ID të huaj, hile e opozitës! Tabaku: Ju i larguat shqiptarët

Nga Gazeta ‘Si’- Deputetët u kthyen sot në Kuvend, në seancën plenare me të njëjtin rend dite si të seancës së të enjtes së kaluar, e cila u ndërpre nga Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, pas debatit që degradoi deri në dhunë, ku Flamur Noka tentoi të qëllojë me shishe uji ministrin Taulant Balla.

Pas urimeve për 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, deputetët rikthyen debatin për votën e diasporës ku mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord me propozimin e kësaj të fundit që në zgjedhjet e 11 majit të votojnë edhe emigrantët të cilët kanë dokumente identifikimi të huaja.

Në fjalën e tij, deputeti Blendi Klosi tha se nëse do të ndodhte një gjë e tillë, sipas tij do të hidhej në erë sistemi dhe e quajti këtë propozim një hile të PD-së. Sipas tij, e gjithë kjo bëhet nga një njeri, kreu i PD Sali Berisha. 

“Ne shohim që edhe ky proces u bë pis nga politika, u fut në ato përplasjet e paimagjinueshme të politikës së vjetër së përfaqësuar nga krahu i opozitës. Ne vijmë për të diskutuar dhe negociuar edhe kur ka ngelur me pak se 90 ditë nga dita e votimit. Kur kanë shprehur vullnetin 181 357 votues dhe vijojnë që të regjistrohen, këta vijnë këtu dhe vënë në diskutim procesin sepse kështu funksionojnë me hile dhe me ngatërresa. 

Kërkojnë që çdokush që ka një telefon, të regjistrojë sa herë të dojë. Kjo do ta hedhë në erë sistemin. Nuk ka negociatë për këtë. Kush ka celular, për 2 minuta del gjurmë ID dhe të japin çdo të dhënë si është forma e një karte belge. Mund të prodhohen aq shumë dokumente, sa mund të hedhin sistemin në erë. Nuk mund të identifikohet dot.

Prandaj po e them, nëse do të paraqitet me ndonjë dokument anglez, kanadez etj, nuk mund të verifikohen dot. Është një hile, nuk është një dëshirë për të prodhuar më shumë shqiptarët. Hile nga ai i katit të tetë (Berishës). Kërkojnë të ndërtojnë një mekanizëm që manipulohet kaq thjeshtë. Kjo është një hile aq e vjetër sa lideri i tyre”, tha ai.

Ndërkohë, deputetja e PD Jorida Tabaku në fjalën e saj tha se “vota e diasporës është një premtim që nuk po shkon ashtu siç duhet, duke qenë se deri në momentin e fundit po diskutojmë se çfarë duhet bërë dhe çfarë nuk duhet bërë”.

Tabaku tha më tej se “arsyeja pse shqiptarët po largohen lidhet me sistemin që është ngritur këtu”.

Deputetja e PD-së u ndal edhe tek arrestimin i kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj nga SPAK.

“Nuk është vetëm një arrestim, por provë e qartë se sistemi që keni ndërtuar prej vitesh po ekspozohet para syve të shqiptarëve. Është pasqyrim i një mekanizmi të tërë të kapjes së shtetit. Sot, mbas gjithë këtyre viteve abuzim, shqiptarët po e shohin të vërtetën e një sistemi të kalbur që ka shfrytëzuar pushtetin për pasurimin e një grushti njerëzish. Deri tani kemi parë majën e ajsbergut. Skemë e organizuar që ka rrjepur buxhetin e shtetit për vite me radhë”, tha Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë