Kosova

Debati për ushqimin e FSK, Vetëvendosja : Ata vetëm 4 mln, ne 250 mln euro për armatim

Nga Gazeta 'Si'-"Pse gjithë ky siklet me Qeverinë Kurti?!”

Kështu nis reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje, sipas së cilës “sulmet” ndaj Qeverisë për çështjen e ushqimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës po bëhen për shkak të shpenzimeve për blerjen e armatimit.

“Vetëm 4 milionë euro i kanë shpenzuar për blerje të armatimit ata që sot kinse shqetësohen për Ushtrinë. Qeveria Kurti për 3 vjet e gjysmë ka shpenzuar rreth 250 milionë euro për blerje të sistemeve të armatimit”, thuhet nga LVV.

Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit u mbajt të hënën për të diskutuar çështjen e furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së por deputetët e pushtetit e bojkotuan.

Deputetët e PDK-së, LDK-së e AAK-së e akuzuan Qeverinë për korrupsion në Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa e konsideruan shqetësuese situatën në FSK.

Seanca u ndërpre në mungesë kuorumi për ta votuar një rezolutë që kërkonte zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi dhe dorëheqjen e ministrit, zëvendësministrit dhe zyrtarëve të tjerë në Ministrinë e Mbrojtjes. 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar “raport të detajuar” rreth shqetësimeve të ngritura për mënyrën e ushqyerjes së ushtarëve të FSK-së. Kjo situatë ka ardhur pas skadimit të kontratës që Ministria e Mbrojtjes ka pasur me kompaninë “Beni Dona” për përgatitjen e ushqimit për pjesëtarët e FSK-së. Aktualisht, nënshkrimi i kontratës për shërbimin e ushqimit në kazermat e FSK-së është bllokuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë