Politike

Debati për Sterilizimin / Bardhi: Shtyjeni hetimin 3 javë! Noka: Po mbroni hajdutin 2 metra. Spiropali: Kush është kriminel e cakton gjykata

Nga Gazeta ‘Si’- Debati për komisionin hetimor për sterilizimin është zhvendosur këtë të enjte në punimet e seancës së Kuvendit, ku palët i janë rikthyer edhe njëherë akuzave të ndërsjellta.

Për kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, komisioni i ka kaluar të gjitha afatet dhe nuk mund të vazhdojë më tej në shkelje të ligjit. Ndërsa, kreu i grupit të PD, Bardhi shprehet se ky komision hetimor nuk ka arritur ende në konkluzione.

“Meqë kujdesesh për etikën, ti zonjë duhet të jesh e shqetësuar që një person i burgosur, dje lëvizte i lirë në ambientet e Kuvendit dhe guxonte të futej në sallën e mbledhjes së komisionit dhe guxonte i pashqetësuar të kërcënonte deputetin e opozitës.

Dje në konferencën e kryetarëve keni vendosur të mos i jepni më shumë kohë dhe pse ai komision nuk ka mbyllur planin. Sipas ligjit kjo do të thotë t’i mohosh të drejtën për të hetuar.

Keni për detyrë t’i siguroni komisionit të drejtën për të hetuar. Ju mendoni se duke penguar të drejtën e opozitës për kontroll parlamentar, një nga shqetësimet e ngritura në progres raport ishte ngushtimi i opozitës për të ushtruar të drejtën e kontrollit parlamentar. Ja ku e keni shembullin. Pse nuk bëheni zëdhënëse e Kushtetutës, e ligjit dhe rregullores për t’i dhënë opozitës më shumë kohë për të vijuar punën, se deputetët e tuaj përtojnë për të punuar, ndërkohë e tyre është të rishikojnë vendimin. Ndaj ju lutem, ta rishikoni atë vendim, të keni një qëndrim sipas rregullores së kuvendit për të dënuar shantazhin që një kriminel në burg ka kërcënuar deputetë dhe të lejoni hetimin normal të komisionit”, tha Bardhi.

“Kërkesa për shtyrjen iu paraqit konferencës së kryetarëve, edhe pse nuk kishte një vendim të ndërmjetëm. Normalisht duhet të ketë një vendim të ndërmjetëm. Për hir të debatit e paraqita, ku anëtarët tuaj kanë marrë pjesë në debat, diskutuan dhe u votua për mosshtyrjen. U shty që komisioni të arrinte në konkluzione, por jo të shpërdoronte detyrën. Unë nuk u shpreh në Konferencë, por u votua të përfundojë detyrën sipas ligjit. Se kush është kriminel, e përcakton prokuroria dhe gjykata”, tha kryetarja e Kuvendit, Spiropali.

“Sa i takon se kush është kriminel e përcakton prokuroria dhe gjykata. Për sa kohë dikush vjen si dëshmitar në Kuvend, duhet t’i jepet mundësia që kjo të ndodhë. Jam bërë me dije sot në mëngjes për pretendimet e tjera. Jam bërë me dije se Garda ka respektuar rregulloren. Do shihen pamjet. Nuk mund të jap një koment sot për këtë”, shtoi ajo.

Edhe deputeti demokrat Flamur Noka iu drejtua me tone të larta kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali.

Noka tha se mazhoranca u përpoq të minonte punën e Komisionit Hetimor dje, në një përpjekje sipas tij për të mbrojtur “Beqajn, hajdutin 2 metra të gjatë” por Spiropali i tërhoqi vëmendjen të mos fyejë askën dhe të vijojë me rendin e ditës. 

Pjesë nga debati

Noka: Një hajdut 2 metra i gjatë ka vetëm dinjitetin e hajdutit dhe ajo sjellje çfarë tregon, tregon qasjen tuaj për të mbrojtur hajdutët. Të njëjtët gjë që bëtë me Olta Xhaçkën, me Frida Krifcën. Megjithëse i burgosur u përpoqët tjetërsoni. Shkelni çdo normë. Komandanti i gardës duhet të mbajë përgjegjësi. Mbrëmë pa asnjë punonjës garde në sallën ku zhvillohej komisioni. Hajduti 2 metra bashkë me avokatin guxonin të intimidonin deputetët. Edhe ju në sallën e Kuvendit keni urdhëruar gardën

Spiropali: Zoti Noka përfundoni edhe pse nuk ishte për procedurë. Nuk ka penguar kush as hetimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë