Politike

Debati për RTSH, Rama: Qëndrimi im u keqinterpretua dhe shtrembërua

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama është përfshirë në replika me Rrjetin SafeJournalists lidhur me deklaratat e tij për RTSH-në.

Ai e thekson se komentet e tij nuk kanë absolutisht lidhje me kushtëzimin e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së nga miratimi politik.

Sipas tij, disa deklarata të shpërndara kohët e fundit pasqyrojnë një kuptim të shtrembëruar të fjalimit të tij.

“Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë, që të përballemi me deklarata si ajo e bashkëngjitura, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar”, shkruan Rama.

Rama thekson se vërejtjet e tij nuk kanë lidhje me “financimin apo ekzistencën e RTSH-së me miratimin politik”.

Ai i ftoi autorët e deklaratave të pasakta të lexojnë ose të dëgjojnë me kujdes fjalimin e tij dhe të kuptojnë qëllimin e vërtetë të mesazhit.

“Kjo është një kohë kur mbrojtja e informacionit fillon me mosshpërndarjen e dezinformatave”, – shkruan Rama në statusin e tij, duke e ripërsëritur këtë mesazh dy herë për të nënvizuar rëndësinë e tij.

Tre ditë më parë, Rama tha se Televizioni Publik Shqiptar ka dështuar. Ai u shpreh se “bilanci i televizionit publik është dështim i suksesshëm”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë