Ne rrjet

Debati për heqjen e fjalës ‘mafia’ nga emri i një rrjeti restorantesh spanjolle

Për vite me radhë, institucionet italiane dhe evropiane kanë kundërshtuar përdorimin e fjalës në këtë kontekst dhe mw nw fund kanë arritur një fitore të vogël

Gazeta Si – Zyra Spanjolle e Licencave dhe Markave Tregtare, ka vendosur që emri i një rrjeti të madh restorantesh spanjolle, “La Mafia se sienta a la mesa” (“Mafia ulet në tavolinë”), është “në kundërshtim me rendin publik dhe moralin”.

Ky është zhvillimi më i fundit në një mosmarrëveshje ligjore disavjeçare të iniciuar nga Ambasada Italiane në Spanjë midis ekskluzivitetit “La Mafia” nga njëra anë dhe institucioneve italiane dhe evropiane nga ana tjetër.

Zyra spanjolle në thelb ka riafirmuar arsyet për një vendim të vitit 2018 nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian, e cila hodhi poshtë kërkesën e kompanisë për të regjistruar emrin si markë tregtare.

Qëndrimi i Ambasadës Italiane dhe Bashkimit Evropian është se përdorimi i emrit “mafia” në lidhje me përvoja të këndshme si gatimi dhe koha e lirë, është fyese, sepse evokon një organizatë të vërtetë kriminale, jo një fenomen letrar nga e kaluara.

Regjistrimi i markës tregtare në Bashkimin Evropian do të ishte gjithashtu në kundërshtim me vlerat e Unionit, sepse do të ofendonte viktimat e mafies dhe familjet e tyre.

Qëndrimi i grupit, është se fjala “mafia” në emrin e restorantit nuk nënkupton ndonjë promovim të një organizate kriminale dhe as nuk perceptohet si e tillë nga klientët.

Kompania, me seli në Saragoza dhe me 114 restorante në të gjithë vendin, ka një muaj kohë për të apeluar vendimin e Zyrës së Licencave dhe Markave Tregtare.

Megjithatë, sipas gazetës spanjolle “Expansion”, ajo po shqyrton gjithashtu ndryshimin e emrit të saj, në mënyrë që të mos rrezikojë të kompromentojë imazhin e saj duke zgjatur një mosmarrëveshje në të cilën fjalës “mafia” i jepen vetëm konotacione negative.

“La Mafia se sienta a la mesa” është vetëm një nga shumë restorante dhe marka në Europë dhe në mbarë botën me emra të frymëzuar nga mafia, por është zinxhiri më i madh.

E themeluar në fillim të viteve 2000, ajo ka afërsisht 2,200 punonjës dhe ka regjistruar një xhiro prej 132 milionë eurosh në vitin 2025, një rritje prej 12.3 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

Mosmarrëveshja midis grupit “La Mafia” dhe institucioneve evropiane, filloi në vitin 2015, kur Zyra e Pronësisë Intelektuale e Bashkimit Evropian (EUIPO), nisi procedurat e pavlefshmërisë së markës tregtare me iniciativën e Italisë.

Në apelimin e saj, kompania u mbrojt duke u thirrur në të drejtën e lirisë së shprehjes dhe duke argumentuar se marka tregtare ishte frymëzuar nga një libër gatimi me titull “La mafia se sienta a la mesa” (Mafia ulet në tryezë).

Nuk kishte për qëllim të ishte ofenduese ose të aludonte në organizatën kriminale, por më tepër në vepra artistike, letrare dhe kinematografike, siç janë filmat në sagën “Kumbari”.

Dy vjet më vonë, Gjykata e Drejtësisë e hodhi poshtë apelimin e kompanisë, duke vendosur se përdorimi i fjalës “mafia” në atë kontekst përcillte një imazh pozitiv të një organizate kriminale.

“Expansión” raportoi se, përveç marrjes së një deklarate për pavlefshmërinë e markës tregtare nga Zyra Spanjolle e Patentave dhe Markave Tregtare, firma ligjore “Fieldfisher” që përfaqëson Italinë në mosmarrëveshje, ka ngritur një padi në Gjykatën Tregtare të Barcelonës për të parandaluar grupin “La Mafia” të vazhdojë të përdorë markën tregtare.

Procedurat janë në fazën paraprake, por “një vendim mund të jepet brenda një viti dhe, nëse është i favorshëm, do ta detyrojë kompaninë të ndërpresë përdorimin e markës tregtare”, tha Josep Carbonell, një punonjës i firmës ligjore.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë