Futboll

Debati për emrin e stadiumit të ri dhe Shqipëria si një rast unik

“Pa asnjë dyshim Arena Kombëtare do të jetë një nga stadiumet më të bukur të Europës,”- kështu deklaronte kryeministri Edi Rama në prillin e vitit 2016, kur u prezantua projekti për ndërtimin e stadiumit të ri, në gjurmën e atij që për dekada me radhë ishte quajtur, “stadiumi kombëtar Qemal Stafa”. Ky emërtim i dhënë nga kryeministri Rama në deklaratat e tij u mor apriori si emri i ri impiantit të ri që filloi të marrë shtat vit pas viti.

Por “Arena Kombëtare” nuk është emri zyrtar i këtij impianti të ri futbollistik në vendin tonë. Nga FSHF për më shumë se dy vite nuk pati asnjë reagim për çështjen e emrit të ri të stadium deri në korrikun e vitit 2019.

Stadiumi "Qemal Stafa" para se te shembej - Gazeta Si, 4 shtator 2019

Më anë të një njoftimi të shpërndarë për mediet, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se ka hapur garën për të pranuar ofertat për kompanitë e interesuar që duan të blejnë të drejtën e emrit të stadiumit të ri. Afati i vendosur nga FSHF ishte data 15 gusht dhe gati tre javë pas mbylljes së këtij afati ende nuk ka një njoftim nga për ecurinë e këtij procesi. Gazeta Si u interesua pranë FSHF për të mësuar më shumë se çfarë ka ndodhur me ecurinë e procesit, por personi përgjegjës, Bardhyl Minxhozi nuk pranoi të japë shumë detaje.

Në komunikimin e tij me Gazeta Si, Minxhozi tha se është një çështje që i tejkalon kompetencat e tij dhe se procesi është krejt normal. “Ka një debat që është jashtë kompetencave të mia dhe që ka shkuar më shumë në një drejtim politik. Ne e konsiderojmë këtë proces korrekt dhe një gjë që është bërë edhe më parë në vende të huaja”, tha anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës.

Bardhyl Minxhozi - Gazeta Si, 4 shtator 2019

Por në këtë komunikim të shkurtër, Minxhozi pranoi se në procesin e hapur nga FSHF janë futur dy kompani. Njëra është e huaj dhe një shqiptare dhe vendim do e marrë Komiteti Ekzekutiv i FSHF, por pa specifikuar se kur do të merret ky vendim.

“Ajo që unë mund të them se për këtë proces kanë treguar interes nja dy kompani. Bëhet fjalë për një kompani një e huaj dhe një shqiptare. Procesi është ende i hapur dhe nuk varet nga shoqëria “kuq e zi”, vendimi do të merret nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së.”

Pra edhe nga kjo përgjigje zyrtare e FSHF nuk ka informacion shterues mbi ecurinë e këtij procesi që ka ngjallur debat. Ky i fundit më së shumti është nxitur nga numri 2 i qeverisë shqiptare Erion Braçe. Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, ku nuk kanë munguar akuzat dhe ironitë karshi presidentit të FSHF-së, Armando Duka, Braçe ka shprehur hapur kundërshtinë tij për emërtimin e stadiumit të ri kombëtar me një emër komercial.

Në një prononcim për Gazeta Si, Braçe konfirmoi qëndrimin e tij, se emri i stadiumit të ri që po shkon drejt përfundimit duhet të mbetet i pandryshuar, (Qemal Stafa), siç dhe u ruajt fasada e tij hyrëse. “Qeveria flet ose me vendime ose nëpërmjet zëdhënëses. Qëndrimi im pastaj është ai që kam shprehur publikisht! Qemal Stafa është.  Qemal Stafa përfaqëson dhe Qemal Stafa duhet të jetë gjithmonë! Siç wshtw tribuna e ruajtur!”

Zv.kryeministri Erion Brace ne stadiumin e vjeter "Qemal Stafa" - Gazeta Si, 4 shtator 2019

Braçe tha më tej se procesi i nisur nga FSHF për t’ia dhënë emrin një kompanie private nuk është i bazuar në asnjë shkresë zyrtare.“Nuk di në e ka të drejtë apo jo Federata, se e shkruar kund në letrat e saj nuk është. Por ata po vendosin. Ndërkohë po të shohësh reklamat edhe një kompani tjetër po reklamon “Arena Center” nëpër rruge si qendër tregtie e argëtimi.”

Në përgjigjen e tij për Gazeta Si, Braçe i qëndron stoik emrin “Qemal Stafa” për stadiumin e ri dhe la të nënkuptohet se do të ishte kundër edhe propozimit që apriori kryeministri ka hedhur 3 vite më parë për emrin “Arena Kombëtare”.

Rasti shqiptar unik në Europë

Stadiumi, bashkë me kullën e tij tashmë ka marrë pothuajse formën përfundimtare dhe pritet që nëse çdo gjë shkon normalisht, në tetor të jetë gati për të pritur ndeshje zyrtare. Në këto muaj me shumë gjasë do të mësojmë edhe emrin që ai do të marrë.

FSHF iu përgjigj akuzave të Braçes me anë të një njoftimi, duke theksuar se procesi për vendosjen e një emri komercial stadiumit kombëtar nuk është një shpikje shqiptare. “FSHF, duke mirëkuptuar ndjeshmërinë e publikut në lidhje me këtë proces dëshiron të bëjë me dije se vendimi i saj, për gjetjen e një sponsori për stadiumin e ri nuk është një shpikje shqiptare. Vetëm dy-tre stadiume në “Premier League” nuk kanë emra tregtarë: Liverpool, OldTrafford dhe Tottenham. Ekspertët vlerësojnë që arsyet që këta të fundit nuk kanë bërë marrëveshje për “shitjen” e emrit lidhen me faktin që historia e emrit tyre, “shet” më shumë se sa emri i një sponsori. Shumica e stadiumeve me histori dhe tradita, qindra vjeçare kanë emra tregtare.”- thuhej ndër të tjera në replikën e FSHF ndaj deklaratave të Erion Braçes.

Por sa i vërtetë është ky pretendim i Federatës Shqiptare të Futbollit?

Pamje nga jashte e stadiumin "Mercedes Benz Arena" ne Shtugart - Gazeta Si, 4 shtator 2019

Në mesin e debatit që ka përfshirë opinionin sportiv, por edhe atë politik se si do të quhet ky impiant, Gazeta Si bëri një verifikim për emrat e stadiumeve kombëtare të të gjithë shteteve europiane. Sipas kërkimit për emrat e këtyre stadiumeve, nuk ka asnjë rast që ata të kenë emra komercial. Trendi i stadiumeve me emra kompanish që blejnë të drejtën për një afat të caktuar ka prekur vetëm stadiumet private të disa ekipeve. Por edhe në këtë rast bëhet fjalë për stadiume që janë ngritur nga e para me financimet 100% private të këtyre klubeve futbollistike. Shembujt, si “Allianz Arena” në Mynih, “Etihat Stadium” në Mançester, apo “Mercedes-Benz Arena” në Shtudgard janë të gjithë impiante që janë ndërtuar nga e para nga klubet që i zotërojnë, të cilat për të nxjerrë përfitime më të mëdha, kanë shitur edhe emrin e stadiumit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë