Politike

Debati pas humbjes, në PD po fillon katarsisi brenda njerëzve të Bashës

Ata që nuk e fshehën atë që po ndodhte në PD pas humbjes në gjashtë bashki të vendit, ku në pesë prej tyre, PD-ja u rendit e treta ishin Grida Duma nënkryetare e partisë dhe Ervin Salianji nënkryetar i grupit parlamentar.

Të dy ata u shfaqën qejfprishur para medias pak para se të fillonte mbledhja e grupit parlamentar e PD-së që u mblodh dy herë të hënën e fillim javës.

Janë të dy të mbështetur nga Basha (edhe me funksione) dhe ndër figurat kryesore (nga ajo që ka mbetur në parti) që u angazhuan në mbrojtjen politike të Bashës, duke anatemuar pjesën tjetër, atë që u largua nën drejtimin e Sali Berishës.

Pakënaqësia e tyre u përcoll edhe gjatë mbledhjes, asaj me orë të gjata të zhvilluara në selinë blu.

Jo vetëm ndaj rezultatit zhgënjyes të PD-së por edhe dy qëndrimeve të mëvonshme të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha se ai nuk kishte humbur asnjë palë zgjedhje pasi "ishin vjedhur" dhe e dyta se ne parti duhet të qëndronte ose ai, ose ndryshe do tu vinte në krye Sali Berisha.

Ervin Salianji foli për të parën.  “Rezultati ishte katastrofik... Nëse votuesit e opozitës braktisin votimin dhe nuk dalin në masë në votime jemi para faktit që nuk jemi para krizës strukturore dhe reformimit, por para krizës së besimit.

Kriza e besimit do akt dhe vendimmarrje. Se nëse ju thoni që çfarëdo që të bëjmë ne gjithsesi humbim, pse duhet të humbim dhe fytyrën?”, tha Salianji në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Për të ruajtur "fytyrën", Salianji, një ditë më pas, komentoi në Facebook se, Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen dhe si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën  

Salianji i kërkoi Bashës që të hapë rrugë dhe të mundësojë zgjedhjet në parti.

Grida Duma, një tjetër funksionare, që i ka dhënë zë qëndrimeve të deritashme te Bashës, por edhe ambicjes së saj politike, nuk e ka pritur mirë formulën pa alternativa të Bashës; “ose ai ose Berisha në PD”  

"...Ju thoni sot këtu ‘o të jem unë ose këtu do jetë Sali Berisha’ pra o unë o askush nuk mundet. Çka do të thotë që kulti i individit që po luftojmë është edhe më i rrënjosur”, tha  Duma duke lënë qartazi të kuptohet se në PD mund të kenë njerëz të tjerë të aftë që mund të drejtojnë partinë përveç Bashës apo Berishës.

Nënkryetarja tjetër e PD-së, Jorida Tabaku nuk po di nga të pozicionohet. Ajo ka abstenuar deri më tash ndaj debatit, dhe kjo u shfaq edhe me mungesën e saj në mbledhjen e grupit.

Megjithatë u vu re në disa media pro Bashës evidentimi i një komenti nga një analist që i shihte të shantazhueshme në garën për drejtimin e partise si Tabakun ashtu edhe Dumën

Edhe deputetët e tjerë kryesisht rishtare dhe të pamësuar me politikën kanë kërkuar që PD t’i futet një gare të brendshme, nuk kanë pranuar variantin që Berisha të rikthehet në parti, por janë shprehur gjithashtu se në parti duhet riorganizim. Por pati edhe deputete prej vitesh si Xhelal Mziu, Ferdinand Xhaferraj apo Helidon Bushati që kërkuan dorëheqjen në thelb, pavarësisht nga rruga. Edhe deputeti mbështetës më i flaktë i Lulzim Bashës, Dashnor Sula, tha se duhej zgjidhje.

Agron Gjekmarkaj në anën tjetër dha dorëheqjen nga funksionet në parti, duke pranuar të jetë vetëm deputet.

Menjëherë pas dorëheqjes nga linja zyrtare e Bashës u përcoll një lloj pakënaqësie ndaj tij (interpretuar në disa media) se pse ai nuk dha dorëheqjen edhe nga mandati i deputetit, siç bëri deputeti tjetër i Lezhës, Mark Marku duke hedhur hipotezën se Gjekmarkaj mund të ndërmerrte një lëvizje politike në Kuvend.

Pro Bashës ndërkohë është pozicionuar kryetari i grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj. Ky i fundit kërkoi që vëmendja të përqendrohej tek zgjedhjet lokale 2023. Alibeaj, Oriola Pampuri dhe Kreshnik Çollaku ishin në një linjë.

Në gjithë këtë debat, sigurisht që nuk mund të shihet e shkëputur lëvizja e Berishës. Belind Këlliçi i Komisionit të Rithemelimit në një postim të tij në Facebook shkruan:

“...I bëj thirrje atyre demokratëve që presin ende që Basha të fitojë, se nuk ka më kohë për të humbur me të humburin! Të bashkohemi! Një njeri i vetëm nuk na ndan dot!” / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë