Restorantet dhe dyqanet në Bashkimin Europian mund të detyrohen që të heqin nga menutë e tyre produkte si “burgera vegjetarianë”, apo “sallam vegan” nëse në debatin që do të zhvillojë këtë javë, Parlamenti Europian u jep të drejtë.
Eurodeputetët do të diskutojnë amendimin e një ligji për fermerët ku do të ndalohet përshkrimi i produkteve vegjetariane, apo vegane si “krahasueshmërisht” me qumështin, gjalpin, djathin apo mishin.
Nisma është ndërmarrë pas një propozimi të fermerëve që thanë se masa është e nevojshme për të mbrojtur konsumatorët nga mashtrimi me këto produkte, por grupe ambientalistësh dhe kompani që operojnë në këtë sektor thonë se nëse Parlamenti Europian do ta miratojë ky do të jetë një hap pas në objektivat e Bashkimit Europian për mjedisin dhe shëndetin.
Amendimet janë pjesë e një blloku më të gjerë reformash në fushën e agrikulturës. Parlamenti Europian nuk ka tagrin që t’i vendosë në fuqi këto ndryshime, por do të mbajë një qëndrim para bisedimeve me vendet anëtare të bllokut.
Sipas amendimeve të reja, termat si “biftek”, “burger”, “hamburger”, “sallam”, “salçiçe” e të tjera do të lejohen vetëm për produktet që kanë përmbajtja mishi.
Tre vite më parë, Gjykata Europian e Drejtësisë ndaloi përdorimin e termave si “qumësht soje”, apo “djath vegan” duke deklaruar se fjalët qumësht, gjalp, djath, apo kos nuk mund të përdoren për të emërtuar produkte të tjera joshtazore. Propozimi i ri synon që ta çojë më tutje të këtë vendim, duke ndaluar edhe fjalët krahasuese të këtyre produkteve me produktet shtazore.
Shoqata Europian e Fermerëve, “Copa Cogeca” thotë se Bashkimi Europian duhet t’u japë fund përshkrimeve sureale në këtë sektor. Ajo argumenton se lejimi i termit “Burger vegan” do të hapë kutinë e Pandorës dhe do të turbullojë konsumatorët e dëmtojë fermerët.
Nga ana tjetër, një grup kompanish prodhimi ushqimesh me bazë bimore, përfshirë këtu Unilever, Ikea dhe Shoqata Europiane Mjekësore i cilësuan propozimet të zhdrejta dhe jashtë kontekstit me situatën aktuale klimatike.
Propozimet kanë përçarë Parlamentin Europian, ku një pjesë janë rreshtuar në krah të fermerëve dhe të tjerë në krah të kompanive të prodhimit të ushqimeve me bazë bimore. Ndërkohë, social-demokratët, grupi i dytë më i madh në PE pas të djathtëve kanë propozuar një rrugë të mesme. Ata kërkojnë që të vazhdohet të lejohet përdorimi i këtyre termave për produktet pa mish, por në paketim të shënohet qartësisht se produkti në fjalë nuk ka përbërje mishi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



