Irena Beqiraj

Debati Koçiu-Shehaj edhe leva e munguar në transformimin e kujdesit shëndetësor!


Në trafikun e çmendur të Tiranës, teksa shkoja për të parë një mik të familjes në spital dëgjoja në makinë debatin e zotit Agron Shehaj me Ministren e Shëndetësisë znj. Koçiu.

Miku im vuan nga diabeti, edhe mesa kuptova nga gjendja e tij kostot e trajtimit të tij nuk lidheshin vetëm me kostot e kujdesin endokrinologjik, por edhe me kostot e trajtimit apo menaxhimin e kondicioneve shoqëruese si sëmundjet vaskulare, sëmundjet e retinës dhe sëmundjet renale.

E ndikuar ndoshta nga "zëri i ngritur" i debatit politik, apo nga formimi im financiar pyetja që më erdhi e para ishte: sa i kushton sistemit shëndetësor miku im i cili është i sëmurë me diabet?

Mungesa e përgjigjes së kësaj pyetjeje kushtëzon të gjitha zgjidhjet. Ka një mungesë pothuajse të plotë të të kuptuarit e mandej të matjes së kostove në sistemin publik shëndetësor.

Për t'i bërë gjërat edhe më keq, pjesëmarrësit në debatin e kujdesit shëndetësor as nuk e kanë idenë se çfarë nënkuptojnë kur flasin për kostot.

Është një aksiomë e njohur menaxheriale: "ajo që nuk matet nuk mund të menaxhohet apo për më tepër të përmirësohet".  Pamundësia për të matur siç duhet kostot dhe për ti krahasuar ato me rezultatet është në themel të problemit të kujdesit publik shëndetësor.

Kur politikanët dhe politikëbërësit flasin për kostot ata zakonisht i referohen asaj që qeveria paguan - jo sesa aktualisht kushton ofrimi i shërbimeve universale të kujdesit shëndetësor. Sistemet e gabuara apo me keq të munguara të menaxhimit të kostos kanë pasoja katastrofike.

Prsh, në vend që të fokusohen në kostot e trajtimit të pacientëve individualë me kushte specifike mjekësore gjatë ciklit të tyre të plotë të kujdesit, ofruesit e shërbimit shëndetësor edhe qeveria grumbullojnë dhe analizojnë kostot në nivel specialiteti ose departamenti.

Spitalet, ato që kanë fatin të kenë ndonjë sistem të matjes së kostove, i shpërndajnë ato në bazë të procedurave edhe departamenteve, edhe jo të trajtimit të kondicioneve të pacientit të cilat mund edhe shpesh janë të integruara.

Problemi i parë i kësaj mënyre të matjes së kostos është se masa e financimit që marrin spitalet, nuk lidhet me kostot aktuale të ofrimit të kujdesit në këto qendra. Kur vetë spitalet i keqkuptojnë kostot e tyre, ata nuk janë në gjendje të lidhin koston me përmirësimet ose rezultatet e procesit, duke mos qenë në gjendje ti menaxhojnë kostot e tyre.

Në kushtet e mosnjohjes "menaxhimi " i kostos në spitalet tona ka mbetur rudimentar ose primitivisht i thjeshtë. Ai bazohet tek vendosja e kufizimeve arbitrare të shpenzimeve për komponentë diskretë të kujdesit, ose për kategori specifike të shpenzimeve siç është edhe kufizimi i përdorimit te barnave të shtrenjta. Ndaj onkologët kanë shpikur një term shumë interesant "toksiciteti financiar", i cili në kushtet e menaxhimit arbitrar të kostove duhet të merret parasysh së bashku me toksicitetin biokimik kur vendoset trajtimi "i duhur".

Matja e gabuar e kostove edhe mos lidhja e tyre me rezultatet, ka çuar po ashtu në diferenca të mëdha te financimit ndërmjet shërbimeve të ndryshme edhe në nënfinancimin e disa prej tyre. Këto nënfinancime kanë sjellë shtrembërime të mëdha në ofertën dhe efikasitetin e kujdesit shendetësor.

As Koçiu e as Shehaj nuk folën qetësisht për këtë problem. Debati i tyre ishte një tjetër shembull i të bërit politike në mënyrë ekspresive, ku sërisht nuk mungoi argëtimi politik si një e mirë individuale; por nuk u konkludua sesi mund të sigurohet e mira publike.

E pra, të dy palët së pari duhet të kenë guximin te dakordësojnë se e mira publike në këtë rast sigurohet duke matur vlerën e kujdesit shëndetësor për çdo lek të shpenzuar në termat e rezultateve të arritura për pacientin. Nuk ka rëndësi numri i shërbimeve të ndryshme të ofruara apo vëllimi i shërbimeve të ofruara, por vlera. Më shumë kujdes apo kujdesi më i shtrenjtë nuk është domosdoshmërisht kujdes më i mirë.

Nëse do të kishte nje matje të drejtë sa i kushton QSUT trajtimi i plotë i mikut tim që vuan nga diabeti, Koçiu që është në pushtet apo Shehaj që kërkon të vijë në pushtet do të kishin në dorë levën e vetme më të fuqishme për të transformuar ekonominë e kujdesit shëndetësor.

Kur asnjëri nga të dy për arsye të ndryshme nuk flasin për të, onkologjiku apo çdo departament tjetër do të vazhdojë siç ka qenë edhe ky debat do të harrohet si shumë të tjerë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”