Politike

Debati Dhuka-Tabaku për ‘fshehtësinë’ e procedurave të negociatave me BE

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, kërkoi sot publikimin e procedurave negociuese menjëherë pas miratimit të tyre, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë dhe përfshirje të shoqërisë civile në procesin e integrimit europian.

Tabaku deklaroi në komision se çdo ditë merr dhjetëra kërkesa për informacion nga shoqëria civile si shkak sipas saj i mungesës së aksesit në dokumentet negociuese.

“Ne i diskutuam në një mbledhje të mbyllur se cilat ishin çështjet që nuk publikohen, por për transparencë të këtij procesi, e përsëris edhe një herë kërkesën për nisjen e një dialogu gjithëpërfshirës me të gjitha palët. Ky nuk është një proces që mund ta kryejë vetëm një ministri apo një administratë, por është një proces kombëtar”, deklaroi Tabaku.

Gjithashtu ajo tha se në tryezat e partneritetit të organizuara nga qeveria shpesh nuk janë efektive dhe se sugjerimet e shoqërisë civile nuk reflektohen në roadmap-et e vendosura online.

“Ne duhet ta kthejmë këtë nga një diskutim me dyer të mbyllura në një debat me dyer të hapura. Pas mbledhjes së fundit kam marrë dhjetëra kërkesa nga anëtarët e shoqërisë civile të Këshillit Kombëtar të Integrimit për të zhvilluar një debat për këtë çështje. Por unë nuk mund të bëj debat pa përmbajtje, kur përmbajtja nuk mund të diskutohet”, theksoi ajo.

Ndërkohë, kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha se këto 5 muaj e fundit, Shqipëria ka bërë një progres të madh në rrugën e negociatave.

“Në 3 muajt e fundit të vitit 2024, Shqipëria çeli 10 kapituj dhe kritere. Këtë javë ne kemi diskutuar me ju 9 kapituj të tjerë të tregut të brendshëm dhe sot po diskutojmë me ju 8 kapituj të rrijtes gjithëpërfshirëse”, tha Dhuka.

Duke iu përgjigjur kryetares së Komisionit Jorida Tabaku, lidhur me zhvillimin e mbledhjes së komisionit me dyer të mbyllura, Duka theksoi se, “natyra konfidenciale e diskutimeve në këtë komision parashikohet nga ligji për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit evropian dhe unë nuk mendoj se mund të komentoj më tej parashikimet e ligjit përveç se t’i respektoj plotësisht”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë