Bota

Debatet për ndryshimin e Kushtetutës në Maqedoninë e Veriut, Kovaçevski: Të votojmë ‘pro’ që të zhbllokohet procesi eurointegrues i vendit

Nga Gazeta ‘Si’ – Deputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut që prej mbrëmë (18 gusht) nisën debatin për ndyshimin e Kushtetutës. Pjesë e ndryshimeve është përfshirja e bullgarëve dhe e pesë bashkësive të tjera etnike në hyrjen e Kushtetutës.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij para deputetëve duke elaboruar domosdoshmërinë e ndryshimit të Kushtetutës tha se të gjithë duhet të votojnë “pro” këtyre ndryshimeve, sepse atëherë zhbllokohet procesi eurointegrues i vendit.

Kovaçevski tha se rruga e RMV-së drejt BE-së ka pasur shumë padrejtësi, por që këto ndryshime të Kushtetutës duhet të bëhen për hir të së ardhmes. Ai tha se ndryshimet kushtetuese mbështeten nga Berlini dhe Washingtoni dhe se nuk do të asimilohet askush. Kovaçevski tha se pas Maqedonisë qëndrojnë “më të mëdhenjtë dhe më të fuqishmit”.

“Duke votuar ‘për’ do të jemi të gjithë fitues dhe me ‘kundër’ do të jemi humbës. Sot është dita kur do të bëhet e qartë se kush dëshiron ta shohë vendin në BE dhe kush e bllokon atë. Kush do të ngrihet në këmbë që vendi të ecë përpara dhe kush do të përgjigjet me justifikime”, ka thënë kryeministri. Sipas tij qeveria ka marrë një përgjegjësi të madhe për shtyrjen përpara të procesit eurointegrues.

Ganka Siljanovska Davova nga VMRO-DPMNE opozitare tha se grupi parlamentar i kësaj partie nuk do t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese.

“Nuk jemi kundër BE-së, kundër bullgarëve, por vetëm kërkojmë respektimin e marveshjeve ndërkombëtare të cilat vlejnë për të gjitha shtetet. Nuk duhet të ketë kritere dhe përjashtime të veçanta vetëm për një shtet. Ne nuk përkrahim ndryshimin e Kushtetutës nën diktat të bullgarëve, për këtë çështje duhet të vendosë populli pasi të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, sepse ky pushtet nuk ka legjitimitet “, tha Gordana Siljanovska Davkova.

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, tha se subjekti i tij politik do të përkrahë pa asnjë luhatje ndryshimet e kushtetutës, sepse kjo është rruga më e sigurt për anëtarsimin e vendit në BE.

Mexhiti: Pozita e ka të vështirë të sigurojë shumicën e votave

Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, u shpreh pesimist nëse do të sigurohen votat e nevojshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Mexhiti tha se “frontit evropian” i përbërë nga partitë në pushtet i mungon shumica e duhur e votave për ndryshimin e Kushtetutës. Sipas tij partive në pushtet nuk u intereson ndryshimi i Kushtetutës, por mbetja në qeverisje.

Sipas Rregullores së Parlamentit, debati zgjat maksimumi dhjetë ditë pune dhe duhet të përfundojë më 31 gusht. Vendimin për ndryshimin e Kushtetutës e merr Parlamenti me shumicë prej dy të tretave të numrit të përgjithshëm të deputetëve, pra me 80 vota.

Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kusht që RMV-ja të zhvillojë seancën e dytë ndërqeveritare dhe të vazhdojë negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë në të.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë