Nga Gazeta Si – Mbylljen e punimeve në parlament dhe fillimin e fushatës elektorale deputetja Jorida Tabaku i pret me një ndjesi kënaqësie për punën e arritur por edhe me një ndjesi paaftësie për të bërë akoma edhe më shumë.
E ftuar në podkastin “T’pa Thana” të Gazetasi.al, Tabaku tha se Partia Demokratike mund të kishte bërë më shumë.
“Jam e sigurt që në situatën aktuale është bërë maksimumi por gjithmonë përpiqemi që të shohim se çfarë mund të përmirësohemi. Ka aq shumë hapësirë edhe për të ndryshuar, edhe për të bërë më shumë, edhe për të realizuar gjëra që më parë i konsideroja të pamundura”, thotë Tabaku.
Duke kthyer kokën pas, Tabaku shprehet se do kishte ndryshuar disa vendime që ka marrë.
“Sot mendoj se mund të kisha marrë disa vendime edhe më ndryshe, mund të kisha mbajtur edhe disa qëndrime pak më ndryshe por e rëndësishme është se jam përpjekur që jo vetëm në këtë legjislaturë por sa kohë kam qenë në politikë që unë të mos ndryshoj”, thotë Tabaku, duke shtuar më tej se edhe pse “kemi pasur dakordësi dhe mosdakordësi brenda partisë, unë jam përpjekur të jem e kursyer me fjalët. Ka 2-3 momente që po të kthehesha pas s’do e kisha bërë por jam përpjekur të jem e kursyer me fjalët për një element të vetëm, sepse kam menduar vetëm për qytetarët”.
Por Tabaku tregon se përsëri do kishte mbajtur të njëjtën retorikë, që nuk ishte e nevojshme që partia demokratike të përshkallëzonte.
“Arriti një moment që kur shikoja kundërshtarin që qeshte, atëherë thoja se jemi të gjithë duke gabuar.
Tani, tregon Tabaku , jemi në situatën kur partia demokratike, pas një shkundje të fortë, lëvizje nga themelet, pati një ndryshim tërësor.
“Partia Demokratike ka nevojë që të reflektojë se çfarë nuk shkoj mirë në këtë procesin 3-vjeçar dhe ndoshta shumë nga gjërat të cilat nuk shkuan mirë lidhen dhe me mospërfshirjen e të rinjve, njerëzve të talentuar, meritokracinë”.
Duke folur edhe për fillimet e saj në politikë, deputetja tha se i është dashur shumë punë që kur ajo të flasë në Kuvend, ta dëgjojnë, jo vetëm kolegët e partisë por edhe kundërshtarët.
Sot përpos kësaj, Tabakun e trishton një element, që lidhet me profesionin e saj të parë.
“Shpesh herë edhe mërzitem pse nuk bën lajm ekonomia por bën lajm një debat me kryetaren e kuvendit ose bën një replikë me kryeministrin dhe del nëpër portale replika dhe ironia e tij e nuk del kur ti flet për ekonominë”, thotë duke qeshur Tabaku.
E pyetur nëse, sipas saj, a ka ndryshuar politikbërja në gjithë këto vite, deputetja shton se në gjykimin e saj ka ndryshuar për keq dhe debati në parlament nuk është më cilësor si më parë, madje tashmë është bërë i lodhshëm.
“Shpesh herë kundërshtari edhe gënjen pa pasur pikë reflektimi. Unë shpesh kam kërkuar moral tek politika edhe pse është shumë”, thotë Tabaku.
Duke u larguar pak nga politika, por jo plotësisht, Tabaku tha se është munduar t’i mbajë fëmijët larg politikës, duke u shpjeguar vetëm ‘komunizmin’.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.