Nga Gazeta ‘Si’- Një debat i ashpër ka shpërthyer sot në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese lidhur me mbetjet e dyshuara toksike që janë rikthyer në Portin e Durrësit.
Deputeti Luan Baçi ngriti shqetësimin për mbetjet, duke kërkuar më shumë informacion mbi natyrën e këtyre materialeve dhe pasojat që mund të kenë për mjedisin dhe shëndetin publik.
Baçi pyeti ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, për çështjen e mbetjeve, duke e akuzuar qeverinë për mungesë informacioni dhe transparence.
“Në Durrës kanë mbërritur mbetje toksike, por nuk kemi asnjë informacion. Çfarë problem sjellin këto mbetje toksike në portin e Durrësit, si do trajtohen dhe ku do depozitohen?” – theksoi Baçi gjatë diskutimit.
Nga ana tjetër, Kumbaro mohoi të ketë të dhëna për mbetje toksike, duke e cilësuar si të papranueshme hedhjen e aludimeve të tilla që mund të krijojnë panik në publik.
“Fjala ‘mbetje toksike’ nuk është përmendur në asnjë nga dokumentet zyrtare. Çështja është ende nën hetim nga Prokuroria e Durrësit dhe po kryhen veprime verifikuese. Mbetjet që kanë mbërritur janë të dyshuara si mbetje të rrezikshme, por jo toksike. Ato janë nënprodukte metali, të cilat përdoren për riciklim” – u shpreh ministrja.
Në reagimin e tij, Baçi u shpreh se, megjithatë, edhe mbetjet e dyshuara të rrezikshme mund të kenë një natyrë toksike dhe kërkoi sqarime më të thella mbi natyrën e këtyre materialeve. “Kur janë të dyshuara rrezikshme, janë të rrezikshme. Këtu mund të përfshihen edhe toksiket. E rëndësishme është që ju nuk keni këtë informacion,” – theksoi Baçi.
Në përgjigje, Kumbaro i kërkoi deputetit të mos përhapë aludime të pasakta dhe ta lërë këtë çështje për hetim nga autoritetet përkatëse.
“Nëse keni informacion të saktë, mund ta paraqisni në prokurori. Mbetjet e rrezikshme përfshijnë një gamë të gjerë materialesh, si ato mjekësore, radioaktive dhe urbane. Ne nuk mund të lejojmë interpretime të pasakta,” – shtoi ajo.
Ndërkohë, çështja e mbetjeve të dyshuara vazhdon të jetë objekt hetimi nga Prokuroria e Durrësit, ndërsa autoritetet kanë siguruar që materialet do të depozitohen në përputhje me ligjin, për të ndjekur procedurat e duhura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.