Politike

Debate në Kuvend për Ballukun/ Balla konfirmon se të hënën mblidhet Këshilli i Imuniteteve

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi në fillim të seancës plenare kërkoi nga kryetari i Kuvendit mbledhjen e Këshillit të Imunitetit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Bardhi tha se sipas tij Kuvendi është kthyer në mburojë të zyrtarëve të korruptuar dhe akuzoi mazhorancën se prej dy muajsh po pengon hetimet e Prokurorisë së Posaçme.

Sipas tij Kuvendi nuk mund të vazhdojë normalisht punën dhe të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë me rastin e Ballukut.

“Duhet të jetë vetëm 1 pikë që ju keni 2 muaj që e mbani zvarrë, duke e kthyer Kuvendin në bunker të zyrtarëve të korruptuar. Futja me urgjencë në rend dite e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, e justifikuat shtyrjen me kohën që kërkoi avokati mbrojtës. Na thatë, pasi skadoi 3 javët e kërkuara, që do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë kreu i grupit të PS, Taulant Balla i tha se Këshilli i Mandateve do të mblidhet të hënën më 23 shkurt, ndërsa shtoi se ishte GJKKO ajo që ndërhyri në kompetencat e Kryeministrit.

“Në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka kërkesë për heqje imuniteti, se as deputetët dhe as ministrat nuk kanë imunitet. Ka kërkesë për dhënie autorizimi për masë sigurie. Sa i përket kërkesës për dhënie autorizmi, si anëtar i atij këshilli, jeni njoftuar në datën 23 ora 10:00 për të vijuar me mbledhjen. Të gënjesh është edhe profesion dhe ju e ushtroni në mënyrë shembullore”, tha Balla.

Edhe kreu i Kuvendit Niko Peleshi pretendoi se Këshilli i Mandateve nuk ka shkelur asnjë nen dhe se është brenda afatit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë