Politike

Zgjedhja e Avokatit të Popullit shkakton debate në Kuvend

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi ka rrëzuar me 77 vota kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike për të hequr nga rendi i ditës procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Kuvendi vendosi që procesi të vijojë sipas planifikimit dhe që zgjedhja e Avokatit të Popullit të zhvillohet gjatë seancës së sotme.

Çështja ka hapur diskutime mbi legjitimitetin dhe transparencën e përzgjedhjes së institucionit të rëndësishëm të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve.

Gjatë diskutimeve që ngjalli kjo pikë, opozita kërkoi që të mbledhin sërish firmat nga e para, në një hapësirë të shkurtër pushimi të seancës, dhe për të mbështetur me firma vetëm 2 kandidatura që PD tha se propozon, Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjonin. 

Deputetët e PD pretenduan se firmat e mbledhura ishin për të mbështetur kandidatët që shprehën dëshirë të kandidojnë, por firmat e dhënë sipas Oer Bylykbashit, nuk tregojnë se ata kandidatë janë propozim i opozitës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi theksoi se PD nuk merr pjesë në votimin e Avokatit të Popullit nëse nuk hiqet emri i Endrit Shabanit.

“Dy kandidatë të Partisë Demokratike janë vetëm Adriana Kalaja dhe Besim Ndregjoni. Shabani nuk na përfaqëson ne”, theksoi Këlliçi.

Ai shtoi se “e kemi bërë të ditur me shkrim qëndrimin tonë mbi këtë proces”.

“Jeni njoftuar për tërheqjen e të gjitha firmave për të gjitha kandidaturat që kanë paraqitur për të garuar për pozicionin e avokatit të popullit. Është edhe lepuri i Surrelit, që po çon deri në fund skenarin e kësaj maxhorance të paralajmëruar javë më parë se Avokatin e Popullit do e merrte PS, e kanë thënë socialistët. Qëndrimi ynë është i prerë, asnjë nga 26 kandidaturat nuk i ka firmat e deputetëve të PD”.

Nga ana tjetër, Berisha në foltore tha se PD respektoi vendimin e kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili tha se një deptuet ka të drejtën për të firmosur vetëm për një kandidat.

“Ky parlament ka një Komision Ligjesh, këtë Komision Ligjesh e kryeson një ish-ministër i juaj.
Në garën e Avokatit të Popullit, një ditë ky mbledh komisionin dhe vendos në mënyrë të diskutueshme, me të drejtë apo pa të drejtë, nuk mund të them, që për kandidatët për Avokat të Popullit do ketë deputeti të drejtë vetëm për një firmë.

Ky është një vendim i një komisioni, që ligji dhe Kushtetuta e ngarkon për shqyrtimin dhe për organizimin e procedurës së votimit të Avokatit të Popullit. Ai është kryetar komisioni.

Tjetër puna se e keqja banale e shndërron atë në hiç. Ne zbatuam vendimin e Komisionit të Ligjeve.
Në përputhje me vendimin e Komisionit të Ligjeve, ne bëmë shkresën dhe tërhoqëm të gjitha firmat.

Dhe, thashë edhe njëherë, deputeti mund të vendosë një firmë për një kandidat, për të tjerë mund të vendosë shumë, por vendimi i Komisionit të Ligjeve ishte i qartë, nuk pranohen sepse janë vendosur firma, i njëjti deputet ka firmosur disa kandidatë”, tha Berisha.

Edhe deputeti demokrat, Flamur Noka, përsëriti në Kuvend qëndrimin e opozitës, e cila u tërhoqi firmën nga kandidatura e Endri Shabanit për të garuar për postin e Avokatit të Popullit.

Noka tha se opozita nuk e njeh ‘lepurin e Surrelit’ siç e cilësoi ai Endri Shabanin, si kandidat të mbështetur nga PD.

Nga mazhoranca, Blendi Klosi tha se ka qenë vendim politik i PS-së për të mos mbështetur asnjë kandidatë për avokat të popullit, pasi kjo i është lënë vetëm opozitës. Ai ngriti pyetjen se cfarë kërkon PD, kur kandidatët në fakt erdhën si propozim i opozitës.

Lista përfshin vetëm kandidatët që kanë arritur të sigurojnë të paktën 28 firma të deputetëve, siç parashikon ligji:

  • Adriana Kalaja – 44 firma;
  • Aranita Braho – 35 firma;
  • Besim Ndregjoni – 34 firma;
  • Endrit Shabani – 35 firma;
  • Skënder Haluci – 30 firma;
  • Tartar Bazaj – 28 firma.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë