Nga Gazeta ‘Si’- Gjatë Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, Belind Këlliçi ka akuzuar mazhorancën për ngushtimin e hapësirave që i takojnë opozitës në Parlament.
Këlliçi theksoi se në vetëm tre javë, mazhoranca ka përjashtuar dy herë kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, me urdhër të Ballës.
Po ashtu, ai u shpreh se opozita nuk do trazira, por po ia imponojnë reagimin e fortë.
“Po ngushtoni hapësirat që ka opozita në Kuvend. Kjo është anti-kushtetuese dhe e patolerueshme. Opozita nuk kërkon trazira dhe nuk është për jo-normalitet, por po na e impononi ju reagimin e fortë. E impononi ju me shkeljen e Kushtetutës.
Ju donit dje të ndryshonit traditën e pyetjeve për institucionet e pavarura, për shkak se keni hallin kur të raportojnë institucionet e drejtësisë. Keni frikë nga pyetjet e opozitës për ato institucione dhe për drejtuesit e drejtësisë.
Sa i përket rregullores dhe respektit të hapësirës së opozitës, mjafton të ju them se në 3 javë ke përjashtuar 2 herë kreun e grupit të PD-së, me porosi të Ballës”, është shprehur deputeti i PD, Belind Këlliçi.
Ndërkohë Niko Peleshi, ka reaguar ndaj ndërhyrjes së zëvendëskryetarit të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, duke e cilësuar gjuhën e përdorur dje në sallë “të dhunshme dhe të turpshme, përtej çdo caku të pranueshëm, edhe në kontekstin e opozitarizmit”.
Peleshi ka theksuar se “ajo që ndodhi dje nuk mund të fshihet pas finesës letrare”, duke iu referuar mënyrës së artikulimit të Gjekmarkajt në seancën plenare.
Ai ka kujtuar se standardet e parlamentarizmit europian duhet të jenë udhërrëfyesi i sjelljes politike, duke shtuar se në parlamentet e BE-së ka debat të fortë, por jo fjalor që degradon figurën e institucionit dhe të kolegëve.
Sipas tij, Parlamenti shqiptar është ndër më liberalët në BE përsa i përket hapësirave dhe lirive të deputetëve, por kjo liri “shoqërohet me përgjegjësi themelore, sepse me sjelljen tonë modelojmë shoqërinë”.
Peleshi ka theksuar se gjatë gjithë karrierës së tij politike “mund të akuzohet vetëm për durimin e tepruar”, duke nënvizuar se “nuk është marrë dhe nuk do të merret kurrë me sulme personale ndaj askujt”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



