Nga Gazeta ‘Si’– Shtyrja e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit ka shkaktuar debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve që po zhvillohet pa praninë e mediave.
Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi duke i thënë se urdhëroi shtyrjen e mbledhjes me të dhëna të rreme, dhe se po shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën duke mbrojtur sipas tij korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.
“Jeni në shkelje flagrante të Rregullores. E kemi kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por e keni refuzuar. Vendosët ta mblidhnit më datë 28, por dy orë para mbledhjes, me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen.
Kështu siç e keni shkruar, edhe pse jam i bindur se nuk e dini se çfarë keni shkruar, i bie që Këshilli të mblidhet pas dy muajsh. Mjafton të lexosh ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur.
Kjo është një sjellje arbitrare dhe argumentet kanë zero bazë, qoftë në Kushtetutë apo në Rregullore. Askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne. Ka vetëm një shpjegim: ju keni marrë në mbrojtje korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, tha Bardhi.
Edhe deputetja Jorida Tabaku e cilësoi këtë vendim si një njollë të zezë.
Ajo kërkoi mbledhjen e menjëhershme të Këshillit pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kjo që po ndodh është një njollë e zezë për Kuvendin. Mbrojtja politike e një të korruptuari është çështje që ju bën me turp edhe juve. Të mblidhet menjëherë Këshilli i Imuniteteve dhe t’i hapim rrugën drejtësisë për t’i hequr imunitetin.”, tha Tabaku.
Ndërkohë kryetari i Kuvendit Niko Peleshi tha se shtyrja e mbledhjes ishte në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
“Në Këshillin e Mandateve vendimet nuk merren thjesht me shumicë, por çdo propozim i anëtarëve vlen. Me propozim të deputetëve anëtarë Taulant Balla dhe Bledi Çomo që kërkuan të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, shtyva mbledhjen”, mësohet të jetë përgjigjur kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



