Drejtësia

Debate në gjyqin e Veliajt, prokurori Ols Dado: Kërkon të zvarrisë procesin! Avokati Ndreca: Reagim emocional

Gazeta Si – Seanca e gjyqit për kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili nuk ishte i pranishëm, u shoqërua me debate, për shkak të një kërkese të biznesmenit Fatmir Bektashi për t’u gjykuar veçmas.

Prokurori i dosjes, Olsi Dado tha në senacë se kjo është një strategji e Veliajt për të zvarritur procesin, por ky pretendim u hosh poshtë nga avokati i tij Plarent Ndreca. Ai deklaroi në sallë nuk ka asnjë strategji të tillë dhe se duan vetëm një proces të rregullt gjyqësor.

“Është strategji për të shtyrë procesin, kemi 8 muaj që s’po arrijmë dot të futemi. Është sjellja e Erion Veliajt dhe avokatit të tij. Kërkesën për ndarje të çështjes ndaj Fatmir Bektashit që kërkon avokati Sokol Hazizaj e shikojmë të pabazuar në ligj”, tha Dado në seancë.

“Nuk është hera e parë që Ols Dado përmend 6 apo 8 muaj. Kërkon të bëjë bashkë edhe gjykimin paraprak, por nuk kemi qëllim për të shtyrë seancën se unë jam këtu. Seancës unë dua t’i jap atë që ka nevojë, proces të rregullt gjyqësor”, tha Ndreca në gjyq.

Të njëjtën qëndrim Ndreca e mbajti edhe pas seancës gjatë një prononcimi për gazetarët, ndërsa tha se reagimi i Dados ishte emocional dhe s’ka lidhje me rolin e prokurorit.

“Nuk kishte lidhje me kërkesat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e Veliajt. Ishte kërkesë nga një koleg tjetër. Akuzat e prokurorit janë pak emocionale, nuk janë në përputhje me rolin e prokurorit. Ka një nxitim për të bërë një proces, i cili është proces masiv, voluminoz, që siç ju e dini ka humbur një shkallë gjykimi duke mos i dhënë zotit Veliaj që të mbrohet. Nuk e kuptoj se gjithë ky nxitim! Një avokat i sëmurë kërkoi që të shtyhej seanca. Lidhja që bën prokurori me mbrojtjen e Veliajt mendoj se është lidhje emocionale që s’ka përputhje me rolin e prokurorit. S’ka strategji për të shtyrë, ka një strategji për të njohur çështjen me themel, për të realizuar mbrojtjen, për të bërë ekipin mbrojtës dhe ne do kemi një ekip avokatësh dhe ekspertësh. Prokuroria ka pasur të gjitha burimet infrastrukturore, materiale edhe financiare në dispozicion për dy vite me radhe për të ndërtuar këtë çështje. Unë nuk e kam lexuar dosjen. As mua si mbrojtës nuk më është vënë në dispozicion dosja, vij çdo ditë e lexoj por nuk më është vënë në dispozicion. Veliaj po e lexon dosjen me ritëm të lartë është gati të mbrojë çështjen dhe vetë, ka një gjendje të admirueshme”, tha Ndreca.

Seanca paraprake për kryebashkiakun e Tiranës dhe të pandehurit e tjerë të dosjes është shtyrë sërish për në datën 3 prill, ora 09:00 pas mungesës së avokatit të njërit prej të pandehurve, Fatjon Bacit.

Çështja u dërgua për gjykim nga Gjykata e Posaçme më 9 shkurt, pas hetimeve të kryera nga SPAK, ndërsa Veliaj ndodhet në arrest me burg që nga 10 shkurt 2025.

Prokuroria ka ngritur 13 akuza ndaj Veliajt, duke përfshirë korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për fshehje të të ardhurave, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash.

Personat e tjerë të akuzuar përfshijnë biznesmenë të ndryshëm, të cilët sipas prokurorisë kanë kryer korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë, si dhe fshehje dhe pastrim të të ardhurave të paligjshme.

Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, ndërsa F.B., gardiani i burgut të Durrësit, akuzohet për dhënie të telefonit Veliajt gjatë transferimeve drejt gjykatës, duke u përballur me akuzën për futje dhe mbajtje të sendeve të ndaluara brenda institucionit të burgut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë